Hansi Flick ka vënë në dijeni drejtuesit e Barcelonës duke kërkuar largimin e katër lojtarëve që nuk bëjnë pjesë në planet e tij për sezonin 2025/26. Madje, trajneri gjerman ka kërkuar që ata të mos përfshihen as në përgatitjet parasezonale me pjesën tjetër të ekipit, duke kërkuar kështu largimin e tyre para korrikut.
Bëhet fjalë për Inaki Peña, Ansu Fati, Oriol Romeu dhe Pablo Torre, të cilët duhet të gjejnë ekip të ri për sezonin e ardhshëm. Rasti më kompleks është ai i Ansu Fati. Largimi i sulmuesit është i komplikuar nga kostoja e lartë e transferimit të tij, e cila po pengon një marrëveshje të mundshme me Monaco-n, një nga pak klubet e interesuara.
Oriol Romeu, pas kthimit nga Girona ku ishte i huazuar, është gjithashtujashtë planeve të Flick. Stili i tij nuk përputhet me filozofinë e presionit dhe dinamikës që trajneri gjerman dëshiron të zbatojë në mesfushë. Deri më sot, nuk ka oferta zyrtare për mesfushorin 33-vjeçar, por drejtuesit e klubit katalanas po punojnë për t’i gjetur një destinacion të ri.
Pas transferimit të Joan Garcia dhe dyshes tjetër të portës, Ter Stegen dhe Szczęsny, për Inaki Pena nuk ka më vend në ekip, as për portier rezervë, ndaj po punohet për largimin e tij. E ardhmja e portierit 26-vjeçar pritet të jetë brenda La Ligës.
Përsa i përket Pablo Torre, ai do të largohet në huazim me shumë mundësi te Villarreal. Duke parë moshën e tij të re, vetëm 22 vjeç, katalanasit nuk duan ta humbin përfundimisht.