Vendimi është marrë: Hansi Flik nuk është më trajner i kombëtares gjermane. Ajo që “BILD” dhe “SPORT BILD” kishin raportuar ekskluzivisht të shtunën, u konfirmua nga DFB përmes një komunikate, e cila mbyllet duke nënvizuar se Federata Gjermane është duke punuar maksimalisht për të emëruar trajnerin e ri. Por cili do ta zëvendësojë Hansi Flikun në stolin e “pancerave”?
“BILD” raporton se Julian Nagelsman konsiderohet favorit për të pasuar Flikun. Megjithatë ka një problem. Sepse trajneri i shkarkuar nga stoli i Bajernit vetëm në mars të këtij viti, duhet ende që të zgjidhë kontratën e tij me klubin kampion, e cila është ende në fuqi dhe ai paguhet prej saj.
Gjithçka pritet që të zgjidhet, por nëse nuk do të mbërrihet tek ai, një tjetër kandidat që “BILD” rendit është edhe Oliver Glasner, ish-trajneri i Aintrahtit të Frankfurtit, i cili aktualisht është gjithashtu pa skuadër.
Disavantazhi i Nagelsmanit është: Glasner la një nam shumë të mirë te Frankfurti, ndryshe nga Nagelsmani në Mynih, i cili humbi shkëlqimin që u pa te Hofenhaimi dhe më pas Lajpcigu.
Që Nagelsman të fitojë këtë garë, Bajerni mund të kërkojë një tarifë transferimi nga “DFB”-ja, duke qenë se është ende nën kontratë. “BILD” përmend edhe emra të tjerë periferikë. Luis van Gal (72) ende nuk e ka përfunduar karrierën e tij.
Ai ka thënë për “SPORT BILD”: “Unë normalisht nuk stërvis më një klub, por një pozicion joshës ka ende një shans për të më bindur”. Gjithsesi, jo më larg se kjo fundjavë, holandezi tregoi betejën e tij me tumorin dhe faktin se duhet të luftojë me sëmundjen e rëndë.
Gjermania nuk ka luksin që të eksperimentojë me Europianin që po troket. Jyrgen Klop mbetet gjithashtu një ëndërr e vjetër në sirtarët e DFB-së, por trajneri i Liverpulit nuk ka ndërmend që të ndërpresë angazhimin e tij të suksesshëm në stolin e Liverpulit.
Prandaj të gjitha rrugët tani e çojnë Gjermaninë drejt Nagelsmanit. Dhe ndonëse ai është vetëm 36-vjeçar, DFB është gati t’i ofrojë detyrën më të rëndësishme të karrierës.
PANORAMASPORT.AL