Hansi Flik nuk është vetëm një emër i respektuar në futbollin gjerman, në historinë e Bajernit dhe tani te Barcelona, por edhe një figurë e aftë për të menaxhuar me sukses ndeshjet vendimtare (finalet). Me një profil larg zjarrit dhe një sjellje të qartë dhe të qetë, trajneri aktual i Barcelonës përballet me finalen e tij të shtatë nga stoli këtë të shtunë në Sevilje kundër Realit të Madridit.
Deri më tani, ai ka arritur atë që shumë pak trajnerë mund të mburren: ai ka fituar çdo finale që ka drejtuar si trajner. Me Barçën, ai fitoi të vetmen finale që ka luajtur deri më tani. Ishte ajo në Superkupën e Spanjës, e luajtur më 12 janar 2025, në të cilën ata mundën Realin e Madridit 2-5 në Arabinë Saudite. Rezultati mund të sugjerojë ndryshe, por nuk ishte një ndeshje e qetë, as nga fusha e as nga stoli, pasi Barça duhej të luante me një lojtar më pak nga minuta e 56-të për shkak të përjashtimit të Sheznit.
Një administrim i mirë i gjermanit. Seria e fitoreve të Hansi Flik në finale u hap në vitin 2020 falë finales së Kupës së Gjermanisë. Bajerni i Mynihut mundi Leverkusenin (4-2) në një ndeshje të luajtur në “Olimpik” të Berlinit. Më 23 gusht 2020, në “Stadio Da Luz” në Lisbonë (Portugali), Bajerni i Flikut siguroi titullin më të lakmuar, Ligën e Kampionëve, në një kompeticion të luajtur në mes të Pandemisë. Në finalen e madhe, bavarezët e drejtuar nga trajneri gjerman mundën PSG-në e Mbapesë dhe Nejmarit, falë golit të Kingsli Koman (min. 59).
Ishte Champions-i i gjashtë për skuadrën nga Mynihu. Një histori futbolli me protagonist trajnerin aktual të Barçës. Finalja e tretë e fituar me Bajernin ishte Superkupa e Europës, e luajtur në “Puskas Arena” të Budapestit (Hungari), më 24 shtator 2020. Kundërshtari ishte Sevilja e Julen Lopeteguit, një finale e cila u vendos në kohën shtesë me bavarezët, që fituan 2-1 falë golit të Havi Martinez në minutën e 104-t. Borusia e Dortmundit ishte kundërshtari i Bajernit në finalen e Superkupës së Gjermanisë 2020, e cila u luajt në “Allianz Arena” të Mynihut më 30 shtator.
Toliso dhe Myler kaluan ekipin vendas në avantazh 2-0, por Brandt dhe Haland barazuan për verdhezinjtë. Joshua Kimish shënoi golin e fitores për Bajernin në minutën e 82-të. Ishte fitorja e katërt e Flik në stol në katër finale. Titulli i pestë ishte Kupa e Botës për Klube, e cila u luajt më 11 shkurt 2021 në “Al Rayyan”, Arabia Saudite. Skuadra e Flik fitoi 1-0 kundër Tigres të Meksikës, falë golit të Benxhamin Pavard në minutën e 59-të. Përveç gjashtë titujve në gjashtë finale, trajneri nga Haidelberg ishte ndihmësi i Joakim Lëv në finalen e Kupës së Botës 2014, ku Gjermania mundi Argjentinën në “Maracanã” me një gol të Mario Gëce në kohën shtesë (1-0). Flik është garanci suksesi dhe menaxhimi në duelet që shënojnë sezonin.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL