Sipas burimeve pranë futbollistit, Harry Kane është shumë i interesuar për t’u bashkuar me Barcelonën në verën e ardhshme. Lajmi është konfirmuar nga ‘Indykaila News’, që citon një burim të afërt me sulmuesin anglez, i cili tha se “Kane me të vërtetë dëshiron të kalojë te Barça, por duhet të pranojë një ulje page për ta realizuar këtë transferim.”
Kane, që ndodhet në fillim të të 30-ave, beson se mund të ketë një ndikim të madh te skuadra e Hansi Flick, duke sjellë përvojë dhe efikasitet para portës. Ai ka shënuar mbi 100 gola në më shumë se dy sezone me Bayern Munich, ku u transferua nga Tottenham Hotspur në vitin 2023.
Në Barcelonë, nevoja për një sulmues të klasit të lartë është bërë urgjente, pasi Robert Lewandowski pritet të largohet në fund të sezonit, kur t’i përfundojë kontrata.
Kane shihet si pasardhësi ideal i polakut, duke qenë një lojtar me inteligjencë taktike, vizion të lartë dhe aftësi për të dërguar topin në rrjetë, por edhe si krijues i lojës. Megjithatë, situata financiare e klubit katalanas mund të përbëjë pengesën kryesore për realizimin e marrëveshjes, pasi Barça do të duhet të menaxhojë kufizimet e ‘Fair Play-t Financiar’.
Nëse transferimi ndodh, Harry Kane do të realizonte një nga ëndrrat e tij më të mëdha, të veshë fanellën “blaugrana” dhe të luajë në ‘Camp Nou’ përkrah disa prej talenteve më të mëdhenj të brezit të ri të Barcelonës.


