Harry Kane është optimist për sezonin e ri pas muajve të vështirë.
Ai gjeti rrugën e rrjetës që në ndeshjen e parë në edicionin 2024-2025, duke shënuar në raundin e parë të Kupës së Gjermanisë, (Ulm-Bayern Mynih 0-4).
Sulmuesi i Bayernit luftoi me problemet e shpinës në fund të edicionit të kaluar, gjë që e preku edhe në Kampionatin Europian në radhët e kombëtares angleze, ndërsa tani ai duket se është plotësisht i rikuperuar.
“Ndihem mirë, trupi po më përgjigjet pozitivisht dhe nuk kam dhimbje. Për mua tani ka të bëjë me kthimin në nivelin optimal të fitnesit. Dita-ditës po arrijë formën e përshtatshme, i bindur se shumë shpejt kam për të kapur ritmin e plotë”, tha i entuziazmuar sulmuesi anglez.
Kane komentoi edhe punën me trajnerin e ri. Sulmuesi vlerësoi filozofinë e tij të lojës dhe mezi pret sezonin e ri: “Ai sjell energji të mirë. Dëshiron të luajë me shumë posedim të topit dhe presion të lartë, sikurse të shënojmë shumë gola”, tha sulmuesi.