Harry Kane kërkon të lërë pas penalltinë e humbur në “Klassiker” kundër Borussia Dortmundit dhe tashmë ka në shënjestër një rekord të Cristiano Ronaldos. Sulmuesi anglez synon të martën, në transfertën ndaj Atlético Madridit, të shënojë në ndeshjen e 11-të radhazi të Champions League.
Aktualisht, Kane ka realizuar të paktën një gol në 10 ndeshje radhazi, vetëm një më pak se rekordi i vendosur nga Cristiano Ronaldo me fanellën e Real Madridit në vitet 2017-2018. Portugezi është i vetmi futbollist që ka arritur deri tani një seri kaq të gjatë golash radhazi në këtë kompeticion. Tani, sulmuesi i Bayern Munich mund ta barazojë këtë arritje historike.
Që prej transferimit në Mynih në vitin 2023, Kane ka shënuar 37 gola në 41 ndeshje të Champions League. Gjatë kësaj periudhe, anglezi është golashënuesi më i mirë i kompeticionit, përpara Kylian Mbappé të Real Madridit, me 33 gola, dhe Erling Haaland të Manchester City, me 26 gola.