Pas dy finaleve rresht të humbura në Kampionatin Europian 2021 dhe 2024, tek Anglia besojnë se ky është viti i duhur për të fituar një trofe madhor, siç është Kupa e Botës, kompeticion i cili nis javën e ardhshme.
Kapiteni i “Tre Luanëve”, Harry Kane, në një intervistë të fundit për L’Equipe ka zbuluar se objektivi i vetëm i Anglisë në këtë Botëror është të ngrejë lart trofeun, pas dy finaleve të humbura në Europian. Në dy Botërorët e fundit, në vitin 2018, Anglia u eliminua në gjysmëfinale, në vitin 2022 në Katar, Anglia u eliminua në çerekfinale.
“Ambicia është të fitojmë Botërorin, padyshim. Ky duhet të jetë objektivi ynë. E dimë që do të jetë e vështirë, por vitet e fundit i jemi afruar triumfit në turne të mëdha dhe këtë herë duhet t’i shkojmë deri në fund. Këtë vit, do të kemi një trajner të ri, lojtarë të rinj. Është emocionuese të luash në Botëror, edhe pse këto lloj turnesh sjellin shumë presion”, tha Kane.