Katër gola të shënuar, një fitore që afron me çerekfinalet e Ligës së Europës dhe Leao vendimtar. Ja që për Milanin lajmet e mira mbarojnë këtu dhe fishkëllimat në “San Siro” në fund të ndeshjes me Slavian nënvijëzuan në mënyrë të përkryer paraqitjen zhgënjyese të kuqezinjve, të cilët për të arritur në finalen e Dublinit do të duhet të bëjnë shumë më mirë sesa çfarë treguan kundër Slavia Pragës.
Dhe mbi të gjitha, do të duhet të gjejnë atë ekuilibër mbrojtës që ka munguar deri më tani në këtë 2024 duke qenë se ndeshja europiane ishte e shtata me të paktën dy gola të pësuar nga skuadra e Piolit. “Mund të kishim bërë më shumë”, pranoi trajneri i kuqezinjve pas ndeshjes, duke thënë gjithashtu: “Rezultati është ende i mirë për sa i përket ndeshjes së kthimit”. Ndërkohë të enjten Milani humbi mundësinë e madhe për të marrë avantazhin maksimal të mundshëm në funksion të ndeshjes në Pragë. Kjo sepse pavarësisht se luajti në epërsi numerike nga minuta e 26-të nuk shkoi përtej një 4-2 përfundimtar, që përshkruan në mënyrë perfekte ndeshjen pa cinizmin e duhur të luajtur nga “Djalli”.
HEMORAGJI GOLI – Edhe ndaj Slavias, Milani krijoi më pak se mundi dhe vuajti më shumë se normalja. Edhe një herë kuqezinjtë ishin shumë të pambrojtur e në vend që të vrisnin ndeshjen, pësuan dy gola të tjerë për kundërshtarët e tyre. Në këtë mënyrë, pa ekuilibër, Liga e Europës rrezikon të mbetet vetëm një ëndërr. Cilësitë ofensive ky Milani i ka dhe me shumicë madje. Zhiru, përpos moshës, mbetet një sulmues i besueshëm dhe Leao mund të bëjë diferencën në çdo moment, por pa ekuilibër nuk mund të shkosh larg dhe për Piolin është e detyrueshme të punojë (dhe shumë) në fazën mbrojtëse për t’i dhënë fund hemorragjisë së golave të pësuar, që është konstantja e sezonit kuqezi.
Në këtë kuptim lajmi tjetër i mirë i mbrëmjes është rikthimi i Tomorit në fushë, por problemi i “Djallit” nuk është vetëm problemi i lojtarëve apo gabimeve individuale, por një brishtësi thuajse totale e sistemit që duhet korrigjuar duke nisur nga ndeshja jashtë me Empolin për të vazhduar në shtysën e parashikueshme të “Eden Arena” në Pragë.
REINOLD BAKALLI–PANORAMASPORT.AL