Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka publikuar listën e lojtareve që do të marrin pjesë në ndeshjen me Danimarkën.
Danimarka, e cila cilësohet si një prej Kombëtareve më të mira në botë do të jetë kundërshtare e Kosovës në dy ndeshjet e javës së ardhshme.
Të enjten më 12 tetor, Danimarka e Kosova takohen në Horsens, ndërsa dy ditë më vonë skuadrat takohen në Prishtinë.
Ndeshjet i takojnë Grupit 8 të kualifikimeve për Euro 2024.
Selektori i Kombëtares A të Kosovës në hendboll, Agron Shabani ka ftuar tri hendbolliste të cilat luajnë pikërisht në elitën e Danimarkës.
Në Kombëtare ka lojtare edhe nga klubet norvegjeze, gjermane, franceze e zvicerane dhe po ashtu lojtare të klubeve tona.
Portierja Aurora Kryeziu, që bën karrierë në Gjermani është emër i ri në Kombëtaren e Kosovës.
Për herë të parë janë ftuar edhe Arlinda Dinarica e Istogut dhe Dafina Mustafa e skuadrës zvicerane Bruehl.
Në listën e gjerë të selektorit Shabani janë edhe disa lojtare të reja (Angjelina Krasniqi, Elisa Mirdita, Arona Krasniqi), që gjatë kohës sa Kombëtarja A është e grumbulluar, do të kenë paraqitje me U19 e U17.
Në listën e zgjeruar ka edhe lojtare tjera (Blerta Ahmetxhekaj, Tina Hetemi) që janë në dispozicion të Kombëtares A.
Kombëtarja mblidhet më 9 tetor, derisa më 11 tetor është udhëtimi për në Danimarkë, ndërsa kthimi nga Danimarka është më 13 tetor.
Në grup me Kosovën e Danimarkën është edhe Polonia. /Lajmi.net/