Hendbollistet e reja të Kosovës kanë shkruar një kapitull historik në sportin kosovar. Kosova U18 është bërë kombëtarja e parë në sportet ekipore që ka debutuar në një kampionat botëror.
Kosova U18, të enjten ka luajtur ndeshjen e parë të Botërorit për grupmoshën U18 që po mbahet në Kinë dhe po paraqiten 32 ekipe kombëtare.
Në duelin e luajtur në kuadër të Grupit D, Kosova ka pësuar nga Brazili me shifrat 39:21 kurse pjesa e parë e këtij takimi është mbyllur me rezultatin 19:11.
Më të dalluarat te Kosova ndaj Brazilit ishin Arjeta Imeraj, Diona Dresh dhe Sara Gjergjaj. Imeraj e mbylli ndeshjen me pese gola të shënuar kurse Dresh e Gjergjaj realizuan nga katër gola secila.
Pjesë e këtij grupi janë edhe Franca e India, të cilat u përballen mes vete në ditën e parë të Botërorit, e ku fituese dolën francezet me rezultatin 50:14.
Ndeshjen e radhës në grup, Kosova e luan të enjten para dite kundër Francës.
Ky është edicioni i 10-të i Botërorit U18 për hendbolliste, i cili ka nisur të mërkurën dhe do të përfundoj më datën 25 gusht.