Kjo sigurisht nuk ka qenë periudha më e lumtur e karrierës së Zlatan Ibrahimovic. Suedezi është gjithnjë e më shumë në shënjestrën e tifozëve të Milanit për shkak të viteve të tij të fundit si drejtues, dhe më konkretisht, javëve kaotike që klubi ka përjetuar së fundmi, me një strukturë menaxhimi ende inekzistente dhe refuzimet e vazhdueshme nga trajnerë dhe drejtorë të ndryshëm.
Pozicioni i ish-sulmuesit në sytë e tifozëve është përkeqësuar edhe më tej në javët e fundit. Shumë veta e kanë kritikuar vendimin e Ibrahimovicit për të fluturuar drejt SHBA-së për të komentuar Kupën e Botës për Fox Sports në një kohë kaq të vështirë dhe delikate për Milanin.
Përvoja e tij si komentator televiziv, për më tepër, nuk po gjeneron vlerësime pozitive. Ibrahimovic është kritikuar ashpër nga Times për stilin e tij të transmetimit: “Më pak Zlatan dhe programi do të ishte më i mirë”, ishte sulmi i editorialistit Andreë Marchand. Ai më pas vazhdon të shpjegojë qëndrimin e tij: “Deri më tani, problemi për Zlatanin është se ai nuk duket se di asgjë specifike për shumë nga ekipet ose lojtarët e tyre. Kur Fox nxori në pah historinë e trajnerit amerikan të kthyer në Kanada, Jesse March, para ndeshjes së tij të parë javën e kaluar, dukej sikur Zlatan nuk kishte dëgjuar kurrë për të”. Një ton krejtësisht i ndryshëm përdoret për të përshkruar punën e Thierry Henry, i cili është plot lëvdata: “Gjithmonë një analizë elegante dhe ndriçuese”.
Megjithatë, vala e kritikave nga televizioni dhe Milani nuk duket se e ka dëmtuar vetëbesimin proverbial të Ibrës. Në programin e vonë të Fox kushtuar Kupës së Botës, suedezi nuk hezitoi kur iu bë një pyetje provokuese nga prezantuesi: “A mendoni se një tavolinë me katër Zlatanë do të ishte më e mirë se një me Rebecca Loëe, Thierry Henry dhe Alexi Lalas?” Suedezi nuk hezitoi: “Po.” Një përgjigje e “konfirmuar” edhe nga makina e së vërtetës me të cilën ishte lidhur. Vitet kalojnë, por jo arroganca proverbiale e Ibrës: pavarësisht kritikave, Zlatani vazhdon në rrugën e tij.