Sot në mbrëmje në orën 21:00 do të zhvillohet finalja e edicionit të 76- të të Kupës së Italisë, ajo mes Fiorentinës dhe kampionëve në fuqi të Interit.
Kjo do të jetë përballja e parë mes dy klubeve në një finale duke marrë parasysh të gjithë kompeticionet, ndërkohë që regjistrojnë 13 precedentë mes tyre në Kupën e Italisë. Bilanci është tërësisht perfekt, me 5 suksese për secilën skuadër dhe 3 barazime për të kompletuar tablonë, edhe pse zikaltrit kanë fituar të katërta ndeshjet e fundit, me suksesin e fundit violë që daton në 27 shkurt 1996 (1- 0 në gjysmëfinalen e kthimit). Ndërkohë që Interi është në kërkim të trofeut të tij të 9- të dhe Fiorentina në kërkim të triumfit të 7-të në këtë kompeticion, të dyja klubet janë edhe në ndjekje të parave. 4.5 milionë euro vlen fitorja, të cilat do t’u shtohen 2 milionë eurove që do të marrë secila prej finalisteve. Përpos këtyre numrave, sfida rezervon një sërë statistikash interesante.
STATISTIKAT
-Kjo do të jetë finalja e 15- të e Interit në Kupën e Italisë. Vetëm Juventusi (21) dhe Roma (16) kanë më shumë në historinë e turneut.
– Fiorentina do të luajë finalen e saj të 11-të të Kupës së Italisë. E fundit daton në sezonin 2013/14 (humbja 1-3 kundër Napolit). Toskanët mund të ngrenë trofeun për herë të parë që nga edicioni 2000/01 (1-0 në ndeshjen e parë dhe 1-1 në ndeshjen e dytë në finalen me dy ndeshje kundër Parmës).
– Interi mund të fitojë Kupën e 9-të të Italisë dhe mund të barazohet me Romën në vendin e dytë si skuadrat më të titulluara të kompeticionit, pas Juventusit që është i pari me 14 trofe. Në rast të suksesit të Fiorentinës, ekipi violë do të arrijë në 7 triumfe në Kupën e Italisë, duke mbërritur Lacion në vendin e katërt.
– Për herë të dytë në historinë e saj, Fiorentina do të luajë dy finale në një sezon të vetëm (më 7 qershor do të përballet me Uest Hemin në Ligën e Konferencës): e para daton në vitet 1960/61, kur fitoi si Kupën e Kupave kundër Rejnxhërs dhe Kupën e Italisë kundër Lacios.
– Interi do të luajë në tri finale në një sezon (Superkupën e Italisë që tashmë e fitoi më 18 janar, Kupën e Italisë më 24 maj dhe Ligën e Kampionëve më 10 qershor) për herë të parë që nga 2010/11, kur luajtën në katër dhe fituan tri (Superkupën e Italisë, Kupën e Italisë dhe Botërorin për Klube).
– Kjo do të jetë finalja e tetë e Simone Inzagit si trajner në të gjitha kompeticionet. Pasi humbi finalen e tij të parë ndaj Juventusit në 2017, 47- vjeçari fitoi të 6 ndeshjet e ardhshme, duke përfshirë tri në krye të Interit (dy herë Superkupën dhe një herë Kupën).
– Kjo do të jetë finalja e dytë radhazi e Interit në Kupën e Italisë, pas suksesit të sezonit të kaluar (4-2 kundër Juventusit). Zikaltrit kanë fituar tri finalet e fundit të tyre në këtë kompeticion dhe humbja e fundit daton në edicionin 2007/08: 1-2 kundër Romës, edhe në atë rast më 24 maj.
NISLI GJINI-PANORAMASPORT.AL