Krahas Superligës së Kosovës në futboll, edhe Liga e Parë pritet të jetë interesante në sezonin 2024/24, i cili do të jetë i fundit që do të përbëhet prej dy grupeve.
Shorti për Grupin A dhe B të Ligës së Parë, është tërhequr të martën në selinë e FFK-së, ndërsa qysh në start do të ketë përballje interesante në të dyja grupet.
Sezoni i ri në Ligën e Parë nis më datën 17 gusht, shtatë ditë pas Superligës dhe të dyja grupet përbëhet me nga dhjetë skuadra që synojnë inkuadrimin në elitë në fund të sezonit.
Në xhiron e parë të Grupit A, do të jenë dy ndeshje derbi, ku do të përballen Drenica – Besa e Pejës dhe Liria – Trepça, ndërsa çiftet tjera janë: Rahoveci – Rilindja 1974, Trepça ’89 – Istogu dhe Mitrovica – Vëllaznimi.
Ndërkohë, edhe në Grupin B, xhiroja e parë do të ketë duele interesante, ku do të takohen: Prishtina e Re – 2 Korriku, Ramiz Sadiku – Vushtrria, Vjosa – Flamurtari, Fushë Kosova – Dinamo dhe KEK-u – Kika.
Dy skuadrat kampione në të dyja grupet, do ta sigurojnë inkuadrimin në Superligë kurse nënkampionet do të luajnë në barazh.