Vëllaznimi i Gjakovës ka fituar trofeun e parë në histori të klubit në basketbollin e pasluftës.
Skuadra gjakovare ka triumfuar në Ligën Unike, garë e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë në edicionin e saj të katërt.
Në finalen e madhe të luajtur të enjten mbrëma në kryeqytet, Vëllaznimi e mposhti Sigal Prishtinën me rezultatin e ngushtë 91:88 pas vazhdimit prej pesë minutave.
Koha e rregullt e takimit përfundoi me shifrat 78:78 kurse vazhdimin prej pesë minutave Vëllaznimi e fitoi me rezultatin 13:10 për ta fituar Ligën Unike.
Për Vëllaznimin, ky sukses është historik duke pasur parasysh se është trofeu i parë i pasluftës dhe i pari në histori të klubit pas gati tri dekadave.
Finalja ishte shumë e fortë dhe tejet dramatike, pasi Prishtina e fitoi çerekun e dytë dhe të tretë kurse Vëllaznimi të parin dhe të fundit për të siguruar vazhdimin, ku lojtarët e tij u treguan më të saktë.
Fundori Arian Azemi me 24 pikë të shënuara ishte më efikasi te Vëllaznimi, ndërsa më lojë të mirë u veçuan edhe Trey Anderson e Jericole Hellems që realizuan nga 14 pikë secili.
Në anën tjetër, te Sigal Prishtina, Ricky Tarrant pati 23 pikë kurse Rashid Mahallbashiq shtoi 19 sosh por që nuk mjaftuan për ta fituar trofeun e Ligës Unike.
Ky është edicioni i katërt i Ligës Unike, garë në të cilën prej se është themeluar kanë dominuar skuadrat nga Kosova.
Para Vëllaznimit, këtë sukses e kanë shijuar edhe Golden Eagle Ylli, Peja dhe Trepça.
“Final 4” i këtij sezoni u orgaznizua në kryeqytet nga Sigal Prishtina kurse vendin e tretë e mori Besëlidhja e Lezhës pasi skuadra e Yllit nuk udhëtoi farë për ta zhvilluar këtë ndeshje.
Në gjysmëfinale, Vëllaznimi e mposhti Yllin kurse Prishtina ishte më e mirë se Besëlidhja.
“MVP” i turneut final të Ligës Unike u shpall Arian Azemi që shkëlqeu si në gjysmëfinale ashtu edhe në finale kurse trofeun e ngriti kapiteni i Vëllaznimit, Atik Koshi.