Futbolli italian ka parë në fundjavën e kaluar një nga ndeshjet më të ndezura të tij, derbin mes Interit dhe Milanit. Por në fakt një sfidë që përjetohet edhe më shumë nga tifozeritë është i ashtuquajturi “derbi i Italisë”, mes Interit dhe Juventusit.
Ndeshjet mes dy skuadrave kanë prodhuar gjithmonë emocione, tensione, polemika e duhet thënë se rrallëherë ka pasur të tilla pa përplasje e incidente. Një nga ndeshjet më të famshme të dekadave të fundit, është edhe ajo e grushtit të Paolo Monteros ndaj trajnerit aktual të Dinamos, Xhixhi Di Biaxho.
Në sfidën e luajtur në vitin 2000, e mbyllur me shifrat 2-2, në një moment të ndeshjes Montero u afrua dhe e goditi me grusht në fytyrë mesfushorin e Interit. Ky i fundit protestoi te gjyqtari por ai nuk kishte parë gjë mes rrëmujës dhe loja vazhdoi normalisht.
Për tifozët e Juventusit, Montero u kthye në heroin e ditës, por në fakt mbrojtësi uruguaian nuk u prit edhe aq mirë nga presidenti i bardhezinjve, Xhani Anjeli, i cili pas asaj sfide u takua me futbollistin duke e kritikuar. “Paolo, nuk më pëlqeve, pasi nuk e kape mirë. Një boksier i mirë, me një grusht të tillë duhej ta kishte shtrirë në tokë”, ishte kritika e avokatit Anjeli asokohe për futbollistin e vet.
PANORAMASPORT.AL