Rasmus Hojlund mbërriti verën e kaluar te Napoli, por tashmë klubi ka fituar zemrën e tij: “Erdha këtu për të fituar trofe. Superkupa tregoi se zgjedhja ime ishte e saktë”. 23-vjeçari foli për sezonin personal dhe ekipor: “Gjithçka po shkon sipas pritshmërive. Mungojnë 13 ndeshje dhe dua ta ndihmoj ekipin ta arrijë objektivin më të lartë. Titulli? Mbeten ende 39 pikë në lojë, nuk janë pak. Interi tani është shumë përpara, me trajner të mirë dhe skuadër të fortë”.
Prioritet mbetet sigurimi i Champions League: “Napoli është një nga klubet e mëdhenj. E dimë që kualifikimi në Champions është i rëndësishëm për ekipin dhe financiarisht për klubin. Kur tifozët bërtasin ‘The Champiooons’ më ngrihen flokët. Shpresoj ta dëgjoj sërish edicionin tjetër”.
Hojlund zgjodhi Napolin edhe për Antonio Conte: “Është fitues serial. Mentaliteti i tij më karikon shumë: i pasionuar, i egër, më bën të përparoj cilësisht. Nga Rasmus i gushtit të kaluar jam bërë lojtar tjetër. Puna jonë në stërvitje është shumë intensive”.
Danezi ndihet ende në rritje: “Kur isha fëmijë, nuk isha talenti më i mirë. Tani, në moshën 23 vjeç, jam te Napoli dhe kam shënuar gati 100 gola në 300 paraqitje profesionale”. Golin e parë italian e shënoi me Atalantën, ku ka mësuar shumë. Tani do të triumfojë me Napolin: “Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme dhe do bëjmë gjithçka për fitore”.