Goli i Rasmus Hojlundit në kohën shtesë i dha një pikë Mançester Junajtidit, ndërsa Bornmëthi me 10 lojtarë pësoi një goditje në shpresat për kualifikimin në Europë. Skuadra e Andoni Iraolës dukej në rrugën e fitores falë golit të 11-të të sezonit të Semenios, shënuar në mes të pjesës së parë.
Por, ndeshja ndryshoi rrjedhë pas një vendimi kontrovers për t’i ndryshuar ngjyrën e kartonit Evanilsonit nga të verdhë në direkt të kuq, për një ndërhyrje ndaj Mazrauit pas rishikimit nga VARi. Evanilson duket se rrëshqiti teksa afrohej për të ndalur mbrojtësin e Junajtidit, por gjyqtari Piter Benks vendosi të ndryshojë kartonin në të kuq, që do të thotë se braziliani tani duhet të vuajë një pezullim prej tri ndeshjesh.
Junajtid u hodh në sulm në kërkim të golit të barazimit dhe pasi një goditje e Mauntit u devijua jashtë, Hojlund shënoi në shtesë nga një distancë e afërt pas një tentative të Ugartes. Ky rezultat e ngjit skuadrën Amorimit në vendin e 14-të, megjithëse vëmendja e tyre kryesore është e përqendruar te ndeshja e parë gjysmëfinale e Ligës së Europës kundër Bilbaos, të enjten.
“Morëm një pikë, por mund të bëjmë më mirë në zonë. Me Bilbaon do të jetë një tjetër histori”, tha trajneri Amorim.
PANORAMASPORT.AL