Wednesday, 4. March 2026
Sport

Homazhet në nder të Ismet Bellovës, Duka: Zëri i tij e bëri futbollin pjesë të çdo familjeje

GS 22/12/2025 2 Min. Lesezeit

Në homazhet për nder të gazetarit dhe komentatorit Ismet Bellova, të organizuara sot në hollin e RTSH-së, morën pjesë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, zv.presidenti Lutfi Nuri dhe sekretari i përgjithshëm  Ilir Shulku.

Pas shprehjes së ngushëllimeve për familjarët, miqtë dhe të afërmit e Ismet Bellovës, presidenti Duka foli për mediat, ku vlerësoi maksimalisht figurën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të profesor Bellovës në sportin shqiptar.

“Sot, fatkeqësisht i japim lamtumirën e fundit profesor Ismet Bellovës, gazetar dhe komentator i shquar i mikrofonit shqiptar. Zëri karakteristik i profesor Ismetit ka sjellë futbollin shqiptar në çdo familje shqiptare, në çdo person që e ka pasion futbollin, për dekada e dekada.

E ka kryer në mënyrën më perfekte shërbimin e tij, jo vetëm për radion, për komentin, por edhe për futbollin. Zëri i profesorit, kontributi i tij, ka qenë edhe një shkollë për të gjithë ata që e kanë pasuar dhe do të mbetet, siç e thatë ju, një zë emblematik dhe për shumëkënd, mbase edhe për mua, më i miri dhe më i veçanti për mikrofonin shqiptar.

Sot, në këtë ditë zie, unë dua t’i shpreh ngushëllimet e mia, të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të gjithë komunitetit futbollistik shqiptar, familjes së profesor Ismetit, miqve të tij dhe të gjithë të njohurve të tij. U preftë në paqe profesor Ismeti!” – tha Duka.

Ismet Bellova u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare.

Teilen: