Lista përfundimtare e futbollistëve pjesëmarrës në Europian për çdo ekip kombëtar, mund të rritet nga 23 në 26. Ose më saktësisht, kjo është dëshira e trajnerëvë të skuadrave përfaqësuese, të cilat janë duke i bërë presion UEFA- s dhe kërkojnë që kjo e fundit të ndryshojë vendimin e saj.
Sipas rregullores aktuale, trajnerët duhet të dorëzojnë listën përfundimtare me 23 emra më datë 7 qershor dhe më pas kanë të drejtë që në rast emergjence të ftojnë vetëm një portier nëse ka lidhje me dëmtime të gardianëve ekzistues. Një vendim që është kundërshtuar nga pjesa e madhe e trajnerëve të cilët kërkojnë që si për EURO 2020, apo Botërorin 2022, lista të shkojë në 26 futbollistë.
“Më duket absurde. Është budallallëk që mund të zgjedhësh 23 lojtarë për Europianin. Futbollistët kanë një ngarkesë të madhe, më pas vuajnë shumë dëmtime. Tani do më duhet të jap listën time përfundimtare më 7 qershor dhe më vonë mund të ndërroj vetëm një portier të dëmtuar. Por ne nuk do të luajmë ndeshjen e parë në Europian deri më 16 qershor. Dhe në këtë Europian, me këtë intensitet dhe këtë numër të madh ndeshjesh, lojtarët do të kthehen të dëmtimet. Më besoni”, ishin fjalët e trajnerit të Holandës, Ronald Kuman, duke u ankuar për këtë situatë.
“Kam folur me Nagelsman për këtë situatë dhe ai gjithashtu e mendon si unë:”., shpjegoi Kuman pas ndeshjes miqësore që Holanda zhvilloi ndaj Gjermanisë. Mendim të cilit i është bashkuar edhe Garet Sauthgejt, trajneri i Anglisë.
“Kemi një tjetër mbledhje me UEFA-n në të cilën disa trajnerë do të kërkojnë mundësinë që të rritet numri i lojtarëve. Në të kaluarën u bë ky zgjerim i numrit për arsye mjekësore. Ajo ishte e mirë për lojtarët, por me 23 futbollistë bëhet e vështirë”, tha Sauthgejt para mediave.
Me rritjen në 26 të numrit të lojtarëve për listën përfundimtare, trajneri Silvinjo do të kishte më të lehtë të ndërtonte ekipin për Europianin, pasi ka shumë dilema sa u përket emrave që kanë marrë pjesë në kualifikuese apo edhe atyre që nuk kanë qenë në grupin kuqezi në ndeshjet që siguruan praninë në turneun në Gjermani.
PANORAMASPORT.AL