Duket se aventura e Arbër Hoxhës në Kroaci te skuadra e Dinamo Zagrebit, tashmë ka marrë fund.
Sulmuesi i krahut, do të largohet nga futbolli kroat për të vazhduar karrierën në Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë raportuar mediumet në Kroaci.
Hoxha pritet të transferohet te skuadra Al Wahda, pasi thuhet se marrëveshje tashmë është arritur mes të gjitha palëve.
Dinamo do të përfitojë 2.5 milionë euro nga shitja e Hoxhës krahas bonuseve, ndërsa do të mbajë edhe 10 për qind të kartonit të tij për shitjen e ardhshme të futbollistit shqiptar.
Finalizimi i marrëveshjes dhe zyrtarizimi i transferimit të Hoxhës te Al Wahda është vetëm çështje kohe dhe ai mund të ndodhë para se sulmuesi i krahut të bashkohet në grumbullim me Shqipërinë.
Hoxha ishte pjesë e Dinamos prej vitit 2024 kur iu bashkua nga Slaven Belupo kurse në Kroaci ka luajtur edhe për Lokomotivën e Zagrebit.
Në sezonin aktual, Hoxha ka shënuar 2 gola në 12 paraqitje për Dinamon në të gjitha garat.