Deklaratat e Françesko Açerbit se nuk kishte thënë asgjë raciste ndaj Huan Zhezus në ndeshjen e të dielës në darkë mes Interit dhe Napolit, kanë lënë të pakënaqur mbrojtësin brazilian të napolitanëve. Ndërsa Federata Italiane ka hapur hetim dhe e ka larguar nga grumbullimi i kombëtares, mbrojtësi vazhdonte të insistonte se ishte i pafajshëm dhe se Zhezus mund të ishte ngatërruar.
Kjo ka sjellë reagimin e këtij të fundit, pasi me një status në Instagram, ka zbuluar edhe se çfarë i ka thënë saktësisht Açerbi në fushën e lojës, ku i kishte kërkuar edhe ndjesë.
“Për mua çështja u mbyll dje në fushë me ndjesën e Açerbit dhe sinqerisht do të kisha preferuar të mos kthehesha te diçka kaq e padenjë sa ajo që duhej të vuaja.
Megjithatë, sot lexova deklarata të Açerbit që janë totalisht në kundërshtim me realitetin e fakteve, me atë që ai vetë tha dje në fushë dhe me provat e shfaqura edhe nga videot me leximet e qarta të buzëve në të cilat ai më kërkon falje.
Unë nuk jam dakord. Racizmi luftohet këtu dhe tani.
Açerbi më tha “largohu i zi, ti je vetëm një i zi”. Pas protestës sime ndaj arbitrit, ai pranoi se kishte bërë një gabim dhe më kërkoi falje, duke shtuar më pas: “Për mua, zezak është një fyerje si çdo tjetër”.
Sot ai ka ndryshuar historinë e tij dhe pretendon se nuk ka pasur asnjë fyerje raciste.
Nuk kam çfarë të shtoj”, shkroi ai në Instagram.
PANORAMASPORT.AL