Real Madridi mban një ritëm perfekt duke mposhtur Real Sociedadin 2-1 në transfertë, pavarësisht se luajti për më shumë se një orë me dhjetë lojtarë. Blancos morën shpejt kontrollin e ndeshjes, Mbappé firmosi epërsinë në minutën e 12-të.
Pak pas gjysmë ore, ndeshja mori një kthesë. Huijsen u ndëshkua si lojtari i fundit, duke e lënë skuadrën madrilene në inferioritet numerik. Pavarësisht se ishin në disavantazh, Merengues gjetën forcën për të dyfishuar epërsinë në fund të pjesës së parë. Një lëvizje e jashtëzakonshme në vijën anësore nga Mbappé, i cili anashkaloi dy lojtarë dhe i dha një asist Arda Guler për ta bërë rezultatin 2-0.
Në pjesën e dytë, baskët e përmirësuan lojën e tyre, duke përgjysmuar diferencën në minutën e 56-të falë një penalltie të shndërruar në gol nga Oyarzabal. Të besuarit e Sergio Franciscos u përpoqën me gjithçka që mundën për të barazuar të paktën, falë lojtarit shtesë, por në fund skuadra e Xabi Alonsos mori tri pikët.
Real Madridi ngjitet në 12 pikë, përkohësisht pesë përpara Barcelonës, me katër fitore nga po aq ndeshje në La Liga. Real Sociedad mbetet në dy pikë, duke kërkuar ende fitoren e parë të sezonit.