Futbollisti i Kombëtares së Kosovës dhe Ujpestit, Lirim Kastrati ka përjetuar një moment të vështirë me ekipin e tij në Hungari.
Kastrati gjatë një dyluftimi me një futbollist kundërshtar ra në fushë pa ndjenja, raporton mediumi hungarez, ‘m4sport.hu’, transmeton lajmi.net.
Pasi gjendja e tij u përmisua, kosovari kërkoi të vazhdonte lojën megjithatë në fund profesionistët e bindën dhe u zëvendësua nga Krisztian Simon.
Përkundër se stafi mjekësor bëri të ditur se nuk ka ndonjë problem serioz, Kastrati u dërgua në spital.
Së fundmi është vetë lojtari që ka reaguar pas atij momenti të vështirë për të.
Ai tregoi që është në spital dhe se po ndihet mirë, duke falënderuar gjithashtu të gjithë për mesazhet e tyre.
“Jam në spital duke i bërë të gjitha kontrollimet e nevojshme me stafin mjekësor. Po ndihem më mirë. Faleminderit të gjithëve për mesazhet! Shihemi së shpejti”, ka shkruar Kastrati në një postim.