Pas humbjes në derbi 1-0 ndaj Milanit në fundjavën e kaluar, Inter ka bërë një tjetër hap fals. Zikaltrit kanë barazuar sot në shtëpi 1-1 ndaj Atalantës, në sfidën e luajtur në “San Siro”, e vlefshme për javën e 29-të në Serie A.
Sfida u zhbllokua në minutën e 26-të, ku pas një aksioni të gjatë dhe kombinimit mes Dumfries, Thuram, Barella, ky i fundit asiston për Francesco Pio Esposito, i cili dërgon topin në rrjetë me një goditje të bukur me të majtën brenda zonës.
Pjesa e parë mbyllet 1-0 për zikaltrit. Pjesa e dytë nis më mirë për Interin që pati dy raste të mira me Dumfries dhe Thura, por që nuk u finalizuan në mënyrën e duhur. Në minutën e 61-të, sërish Thuram kishte një shans të mirë për të dyfishuar shifrat, por Carnesecchi tregohet super i saktë me ndërhyrjen e tij.
Në minutën e 82-të, Ataltanta barazon shifrat me Nikola Krstovic, i futur në pjesën e dytë. Goditja e parë nga Sulemana ndalet nga Yann Sommer, por jo e dyta nga Krstovic, që përfundon në rrjetë. Ndërhyn edhe VAR, pasi dyshohet për faull, por më pas konfirmohet se goli është i rregullt.
Vendimi i arbitrit Gianluca Manganiello acaron Cristian Chivu i cili merr kartonin e dytë të verdhë brenda dy minutash për protestë dhe ndëshkohet me të kuq. Ndeshjen e radhës do ta ndjekë nga tribuna.
Në minutën e 87-të, zikaltrit sërish acarohen pasi pretendojnë për një faull ndaj Davide Fratessi brenda në zonë dhe kërkojnë penallti, por arbitri kryesor dhe VAR thonë që çdo gjë ishte në rregull.
Rezultati nuk ndryshon deri në fund, sfida mbyllet 1-1. Inter mban vendin e parë me 68 pikë, diferenca prej 8 pikësh nga Milan mund të ndryshojë, nëse kuqezinjtë fitojnë në transfertën ndaj Lazios. Atalanta mban vendin e 7-të me 47 pikë.