Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, komentoi humbjen që iu hoqi katalanasve mundësinë për të arritur kuotën e 100 pikëve në kampionat. “Jam i zhgënjyer nga rezultati, por duhet ta pranojmë sepse luajtëm kundër një skuadre që lufton për mbijetesë. Nuk ishte e lehtë”, – deklaroi ai.
Flick pa gjithsesi elementë pozitivë: “Pashë një skuadër shumë të motivuar. Menaxhuam minutat e lojtarëve që kishin luajtur më shumë. Në pjesën e parë kontrolluam lojën, por kundërshtarët sulmonin me shumë agresivitet. Në sulm nuk ishim në nivelin tonë të zakonshëm, por jam i kënaqur me atë që pashë”.
Trajneri gjerman vlerësoi veçanërisht lojtarët e akademisë: “Álvaro Cortés luajti një ndeshje fantastike. Espart hyri mirë, Tommy mori minuta, ndërsa Bernal është rikthyer në nivel të mirë. Për Casadó ishte e rëndësishme të luante”.
Për debutuesin Álvaro Cortés shtoi: “Ishte ndeshja e tij e parë dhe bëri shumë mirë. Fitoi duele ajrore ndaj sulmuesve të fortë dhe tregoi siguri me topin. I thashë të luante si në stërvitje”. Flick nënvizoi edhe lidhjen e veçantë të klubit me “La Masia”: “Kjo është ajo që dua të shoh nga të rinjtë. Ata luajnë prej vitesh bashkë dhe kjo është diçka fantastike”.
Në fund sqaroi situatën e portierëve: “Vendosëm sot që Wojciech Szczęsny të luante. Joan García është numri një dhe do të luajë në ndeshjet e ardhshme. Na kanë mbetur edhe dy sfida, që duam t’i fitojmë”.