Ishte një nga kërkesat e para të Mauricio Sarrit sapo mori detyrën te Lacio. Trajneri e donte Hysajn me çdo kusht, edhe pse deri më tani nuk ka mundur realisht të mbështetet tek ai. Fillimi i aventurës ishte i mirë, por me kalimin e javëve humbi. Në ndeshjet e fundit kundër Sasuolos dhe Interit shqiptari ka luajtur në nivele të mira. Në fakt, të mërkurën ai pushoi për t’i lënë vendin Laxarit, pavarësisht se pa dyshim me karakteristika të ndryshme.
VETËM 4 PREZENCA – Elseid Hysaj sivjet ka pasur pak mundësi për të dëshmuar vlerën e tij në fushë. Vetëm 191 minuta të shpërndara në katër prezenca me Sarrin që nuk i ka dhuruar ende asnjë minutë në Ligën e Kampioneve.
I mbërritur në verën e vitit 2021, lojtari hyri menjëherë, duke gjetur edhe rrugën drejt rrjetës në javën e dytë kundër Specias. Më pas, një sërë problemesh dhe shfaqjesh në hije e zbritën atë në hierarki.
Tashmë ish-Napoli ka treguar se është një lojtar i dobishëm për kauzën, si në të djathtë ashtu edhe në të majtë, ku ka luajtur më së shumti. Ndryshimi i skuadrës, mënyra e lojës dhe skemat e Sarrit, pavarësisht se i njihte, i shkaktuan disa probleme.
Tani gjithçka duket se është hedhur pas. Futbollisti është gati të japë kontributin e tij, sidomos tani që kalendari do të shohë pas Milanit sot, Sëlltikut në Champions dhe Atalantës në Serinë A.
MUNGESAT – Ndërkohë që Hysaj rikthehet në formacion, Alesio Romanjoli mund të mungojë për shkak se ka thyer hundën. Këto ditë është stërvitur me maskë, ndaj e ka Sarri në dorë për ta aktivizuar ose jo.
Dje nuk është stërvitur as Matia Zakanji, i cili mori një goditje në ndeshjen me Sasuolon, e që u aktivizua kundër Torinos në mesjavë.
Dukshëm është i sforcuar, ndaj nëse nuk ia del, Pedro do të luajë që nga minuta e parë duke mbështetur së bashku me Felipe Andersonin njërin mes Isaksonit dhe Kastejanosit, pasi edhe Imobile është stërvitur veçmas.
MILANI – Duhet të ketë disa ndryshime në formacionin e kuqezinjve, duke përfshirë rikthimin e Majk Menjasë, i cili ka munguar në dy ndeshjet e fundit për shkak të një problemi të vogël muskulor.
Vendin e Florencit në mbrojtje duhet ta zërë Kalabria, ndërsa konfirmohet pjesa tjetër e titullarëve me Zhirunë e Leaon që do të udhëheqin ekipin. Në “tredhëmbësh” do t’u bashkohet Pulisiçi i favorizuar ndaj Çukvuezes.
Në mesfushë Loftus-Çik dhe Reijnders janë të sigurt për formacionin, ndërsa ka balotazh dhe është ai mes Adlit dhe Musah në kabinën e regjisë.
PANORAMASPORT.AL