Ndërsa Lewis Hamilton dërgon rregullisht mesazhe në shtyp që mund të paralajmërojnë daljen e tij të afërt në pension, sezoni 2025 duket se e ka identifikuar qartë pasardhësin e tij të mundshëm te Ferrari. Piloti i ri i akademisë, Oliver Bearman, shijoi një debutim shumë pozitiv në botërorin 2025.
Uljet dhe ngritjet ishin të pashmangshme nën drejtimin e një makine si Haas. Fitorja e tij kundër shokut të skuadrës Esteban Ocon, një pilot shumë i vështirë për t’u mposhtur në garë, e bëri të qartë se sezoni debutues Bearman mund të konsiderohet pozitiv, përtej vendit të tij të 13-të në renditjen e pilotëve.
Pra, e ardhmja e të paktën njërës prej dy vendeve të Ferrari duket e sigurt duke gjykuar nga talenti dhe freskia e një prej produkteve më të fundit të Akademisë së pilotëve të “kokëkuqes”. Një e ardhme për të cilën 20-vjeçari nuk e fshehu dëshirën e tij në një intervistë me “Gazzetta dello Sport”.
“Kjo është ëndrra ime dhe është ajo që më shtyn të jap gjithmonë gjithçka nga vetja dhe më jep energji çdo mëngjes. Dua të garoj me Ferrari, dua të fitoj me të, ky është qëllimi im i jetës”, tha Bearman, që ka garuar një herë me Ferrari (Gedda, në vitin 2024, kur zëvendësoi Carlos Sainz, i cili u operua nga apandisiti.
“Pata fatin të provoja Ferrarin atëherë dhe tani që e di se çfarë do të thotë, jam edhe më i motivuar. Dua që viti 2026 të jetë një vit i fortë, veçanërisht për ekipin tim. Nuk kam kontroll mbi asgjë tjetër, por ndihem gati për çfarëdo që të sjellë e ardhmja. Me më shumë përvojë, dua ta provoj edhe më shumë sepse të bësh një sezon të plotë si pilot gare është krejtësisht ndryshe”, shtoi Bearman.
Në fund, ai tha: “Duhet të mësosh të menaxhosh energjinë tënde. Bëra edhe disa gabime, si në Australi për shembull. Ishte një fillim i tmerrshëm, jo ajo që do si fillestar, por gjithçka më ndihmoi të mësoja. Pastaj në Silverstone, gara ime në shtëpi. Por që nga ajo kohë, mendoj se u përmirësova shumë dhe nxora mësimin tim.”


