Mario Gëtce nuk e sheh më veten si pjesë të përfaqësueses së Gjermanisë. Futbollisti 31-vjeçar, i cili në vitin 2014 me golin e tij i dha titullin Kampion Bote Gjermanisë në finalen ndaj Argjentinës, tani nuk e imagjinon më veten pjesë të këtij ekipi, edhe pse në verë vendi i tij është pritësi i EURO 2024.
I ngacmuar në konferencë për shtyp nga gazetarët rreth formës që po kalon me Eintraht Frankfurt dhe nëse kjo e afron me përfaqësuesen, Gëtce ishe i prerë.
“Fokusi im këtu në Frankfurt është te Bundesliga. Tanimë jam në një moshë të caktuar, do të më duhej që të luaja një rol tjetër në ekipin kombëtar dhe nuk mendoj se do të funksiononte,. Kurrë mos thuaj kurrë, por të jem i sinqertë nuk e kam trajtuar më atë temë”, tha Gëtce.
Sipas mediave gjermane, zhgënjimi i tij në Botërorin 2022 ku luajti një rol dytësor te “panzerat” duke qenë vetëm një lojtar stoli i aktivizuar rrallëherë nga Hansi Flik, ka zbehur dëshirën e Gëtce për të përjetuar edhe një herë një situatë të ngjashme.
PANORAMASPORT.AL