Lautaro Martinez përkufizohet ndryshe si njeriu anti-Milan dhe në Apiano Xhentile nuk mund të ishin më të lumtur për këtë. Asnjëri nga lojtarët aktualë të Interit dhe Milanit nuk ka shënuar sa Lautaro në ndeshjen brenda qytetit (8 gola që e bëjnë “djallin” viktimën e dytë të preferuar të tij pas Kaljarit).
Për më tepër vetëm 6 lojtarë kanë shënuar më shumë se ai në historinë e kësaj ndeshjeje. Mjafton për të shpjeguar se sa e ndien në lëkurë derbin argjentinasi, që ka gjetur edhe 1 asist në duelet përballë Milanit.
OBJEKTIVAT – Lautaro vjen nga 3 gola në 4 derbet e fundit, me dhimbjet e vazhdueshme të kokës që u ka shkaktuar mbrojtësve kuqezi. Goli i fundit i përket gjysmëfinales së Champions League, por “demi” i ka ndëshkuar kuqezinjtë në të gjitha kompeticionet, në çdo sezon që ka qenë përballë tyre. Kapiteni është ngjitur një shkallë dhe nuk ka të bëjë me shiritin këtë herë. Rritja e tij është e gjitha në aspekt mendor, e konfirmoi edhe me fjalët ndaj Fiorentinës:
“Po mundohem të mendoj më shumë brenda fushës, duke u përpjekur të përfitoj ndaj kundërshtarit”. Lautaro luan paraprakisht. Gjakftohtësia që ka arritur para portës është e dukshme edhe për më skeptikët. Menaxhimi i energjive fizike dhe mendore tani është i jashtëzakonshëm: dikur ai ishte lojtari më i zëvendësuar i Interit, tani ndryshimi është një shenjë maturie. Sepse Interi nuk bën dot pa të. Sepse ai është njeriu që duhet mbajtur për të sfiduar Milanin në garën për titullin. Sepse askush nuk e ka në këmbë aftësinë e tij realizuese.
SHIRITI – Lautaro di të marrë përgjegjësi dhe shiriti duket se e ka bërë më të fortë. Pas sfidës me Fiorentinën postoi një foto me Kuadradon, që përveç një feste për fitoren ishte një mesazh për të gjithë tifozët, që ende nuk e kanë pranuar kolumbianin. Dhe pastaj kapiteni dërgon një sinjal bashkimi, si për të thënë: ai është njëri prej nesh, këtu të gjithë udhëtojmë në të njëjtin drejtim. Lautaro është njeriu i së tashmes dhe i së ardhmes së Interit. Ai është njeriu që fshin të shkuarën. E bëri me Lukakun, sepse zhgënjimi ishte i madh, sidomos në planin personal.
“Demi” shkon drejt, pa devijime në të vetmen temë që i intereson: fitorja. Dhe për ta bërë këtë, synon dy ish-qendërsulmues të zikaltërve: Vierin dhe Ikardin, që janë 16 dhe 17 gola larg, shumë pak për të mos besuar se mund të mbërrihen këtë sezon. Lautaro është lideri i këtij Interi. Është teknikisht, por është edhe brenda dhomës së zhveshjes.
Dhe ai njihet si i tillë nga klubi. Është njëri prej lojtarëve më të paguar në skuadër, pikë referimi brenda një grupi që klubi ka vendosur ta ndryshojë thellësisht, madje edhe për të ndryshuar disa fytyra që nuk ishin tamam një stimul për shokët e tij. Lautaro është i uritur vetëm për fitore dhe Milani është “pjata” e radhës.
Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL