Nga Komo te Komo, gjashtë muaj më vonë. Juventusi rigjen skuadrën me të cilën nisi sezonin 2024-2025 pas revolucionit në merkaton e verë.Sot për sot që flasim kemi një “Zonjë” më të rinuar, që duhet të përballet me një ekip që ka bërë merkato të rëndësishme. Objektivi i bardhezinjve është që të gjejë vazhdimësi pas përmbysjes ndaj Empolit. Trajneri Mota e konsideron ndeshje të vështirë, por është i bindur që ai bashkë me Juven do t’i arrijnë objektivat e këtij sezoni.
KOMO- “Do të jetë një ndeshje e vështirë ndaj një rivali të fortë që ka vënë në vështirësi shumë ekipe të mira. Duhet të bëjmë ndeshje të madhe për të fituar”.
AFRIMET- “Jam i lumtur dhe krenar për të gjithë, ata që kanë qenë dhe ata që kanë ardhur. Kemi objektivat tanë dhe vlerat tona. Me punë dhe me shumë impenjim jam i bindur që do t’i arrijmë”.
SULMUESIT- “Nuk është kaq e lehtë që të kesh dy sulmues si Vlahoviç dhe Kolo Muani. Por ne jemi një skuadër dhe më e rëndësishme është kjo. Duhet ekuilibër në nivelin mbrojtës dhe sulmues. Janë dy lojtarë të nivelit të lartë, pavarësisht rolit. Sigurisht që mund të luajnë bashkë, kur unë ta konsideroj momentin ideal. Në të kundërt do të alternohen me njëri-tjetrin. Mund të ketë ndeshje që nuk do të luajë asnjëri nga të dy. Ajo që vlen është skuadra”.
RRITJA- “Që në fillim e kanë kuptuar të gjithë lojtarët se çfarë do të thotë të luash për Juventusin. Për shumë motive ndonjëherë nuk kemi arritur dot rezultatet pozitive. Sot jemi të përqendruar te dueli me Komon”.
KELI DHE VEIGA- “Përtej faktit që janë dy lojtarë me të majtën janë të zotët teknikisht dhe mund të luajnë bashkë. Renato ka bërë edhe mesfushorin. Janë 2 lojtarët që do të na japin një dorë nga tani deri në fundin e sezonit”.
KAMBIAZO- “Jam i lumtur që qëndroj në një skuadër të rëndësishme si Juventusi. Mendoj se në mendjen e tij ka qenë gjithmonë kjo ideja. Nuk do të jetë i gatshëm për këtë ndeshje, por shpresoj që të rikthehet shpejt për të ndihmuar skuadrën”.
VLAHOVIÇ- “Sjellja e tij ka qenë e jashtëzakonshme dhe pa të meta, që nga dita e parë e grumbullimit. Është stërvitur gjithmonë mirë dhe ka dhënë kontribut për skuadrën. Edhe kur nuk ka qenë në formë ka shtrënguar dhëmbët”.
FABREGAS- “Sigurisht që fakti që kemi luajtur te Barcelona është i rëndësishëm. Më ka shënjuar karrierën time sepse ka pasur një filozofi të qartë. Edhe te Fabregas e shoh këtë. Është një trajner që nuk qëndron kurrë në pritje, por shumë i zoti për të sulmuar”.
KLASIFIKIMI- “Fakti që të gjitha rivalët janë forcuar është një stimul më shumë. Në janar ka pasur mundësi që të tjerat të marrin lojtarë të rëndësishëm. Duhet që ne të bëjmë detyrën tonë dhe të punojmë çdo ditë për të rritur nivelin në stërvitje”.
PANORAMASPORT.AL