Wojciech Szczesny është gati të debutojë me fanellën e Barcelonës. “Gardiani” polak, edhe pse ka pak kohë që u është bashkuar katalanasve, ka shfrytëzuar pushimin e shkurtër për shkak të ndeshjeve të kombëtareve për të rigjetur formën sportive.
Nuk duhet harruar se ai doli në pension pas përfundimit të Kampionatit Evropian të zhvilluar në Gjermani. Portieri është stërvitur shumë ditët e fundit në Ciutat Esportiva dhe tashmë është gati për të luajtur, siç shihet edhe nga fjalët e tij në një intervistë për TV3:
“Jam gati. Jam përgatitur në këto dy javë për të qenë në formë. Nëse do të luaj apo jo, është vendim i trajnerit, që duhet ta respektoj. Por unë stërvitem për të luajtur dhe tashmë jam gati”.
Polaku i shton vlerë organikës së Barcelonës në një kohë kur po afrohet një kalendar i vështirë, me ndeshjet kundër Sevillas, Bayernit të Mynihut dhe Realit të Madridit:
“Në fund të fundit, të gjitha ndeshjet janë një provë, sepse kampionatet nuk fitohen apo humben vetëm për një ndeshje. Kemi përballë dy skuadrat më të mira në Evropë, por Barça është gjithashtu një skuadër e lartë në nivel kontinental. Do të jetë një sfidë e mirë, por ajo që ka më shumë rëndësi janë fitoret, sepse nxisin marrëdhënie të mira brenda ekipit dhe të japin avantazh në renditje. Kjo është arsyeja pse ato do të jenë ndeshje të rëndësishme”.
Szczesny ka gjetur një ambient të mirë në skuadër në këto javë të para në Barcelonë:
“Kanë qenë ditë shumë të mira. Sigurisht që ditët e para ishin të vështira nga pikëpamja fizike, sidomos për ne, portierët, që punojmë vetëm. Por këtë javë, kur u bashkova me grupin, ishte shumë më argëtuese dhe stimuluese, sepse luan ndeshje kontrolli dhe bën shaka me shokët e skuadrës.”