Trajner i madh, por edhe një njeri shumë i fortë. Luis van Gaal po lufton prej vitesh me kanceri ne prostatës, sëmundje e rëndë të cilën po e lufton me shumë personalitet. Në një prononcim të fundit, trajneri holandez tha me shaka se është shumë më mirë, por sëmundja i ka lënë një pasojë serioze:
“Jam mirë. Pas tri vitesh radioterapi, infeksione të veshkave dhe operacioni të prostatës, më në fund mund të urinoj, gjë që është e rëndësishme. Por kam një problem, nuk mund të bëj më dashuri.”
Holandezi tregoi një prapaskenë të verës që po lëmë pas.
“U befasova, Bayerni më bëri ofertë kësaj vere për ta drejtuar, para se të konfirmonte Kompany.”
Van Gaal dha dorëheqjen si trajner i kombëtares holandeze një ditë pasi Argjentina e eliminoi nga Kupa e Botës 2022. Louis, tani 72 vjeç, bëri histori me Bayernin duke fituar një titull kampion, një Kupë të Gjermanisë dhe një Superkupë të Evropës.
Trajneri i njohur ka treguar disa detaje nga jeta e tij:
“Vij nga një familje në të cilën jemi nëntë vëllezër. Personalisht jam më i vogli. Babai im vdiq kur isha 11 vjeç, ai ishte 53 vjeç. Gruaja ime e parë vdiq në moshën 39-vjeçare, të gjithë vëllezërit e mi vdiqën shumë shpejt. Unë jam mësuar me vdekjen, prandaj e di që është pjesë e jetës dhe mund ta përballoj. Çdo qenie njerëzore reagon ndryshe, prandaj them: Ti duhet të jesh vetvetja.”