Le të kuptohemi, ma skota mbetet gjith monë zebra, por pas sprintit të Juventusit drejt kreut të renditjes meritat janë të “Maces” (Gatit) dhe “Dhelprës” (pseudonimi i Alegrit nga kolegët). Ndonëse po flasim për dy botë të kundërta, tërheqja është shumë e madhe sepse Federiko Gati e ka nisur nga fundi, duke kaluar mes fushave të amatorëve dhe punëve të krahut si murator, por aktualisht është ai njeriu i kopertinave bardhezi, duke qenë se me golat e tij vendimtar po mban Juventusin në katin e dytë të renditjes.
Monza dhe Napoli në 7 ditë janë viktimat e tij! Ndërsa Masimiliano Alegri, pasi preku majat e viteve të titujve kampionë (6 mes Milanit dhe Juventusit), finaleve të Championsit (2) dhe pasarelës së yjeve të mëdha (duke nisur nga Ronaldo e poshtë), ka vendosur që të bëjë një hap prapa dhe t’i dedikohet me çdo forcë një grupi djemsh të rinj, me shumë më pak talent, por me një dëshirë dhe uri për fitore të jashtëzakonshme. Dhe në fund, rezultati i kësaj është një “zonjë e vjetër” që vazhdon të qëndrojë në korsi parakalimi (-2 nga Interi) dhe me ëndrrën e madhe, të luftojë deri në fund për titullin kampion.
PASARDHËSI I BBC-së
Gati e ka nisur nga shumë larg dhe ndoshta për këtë nuk ka frikë që të provojë gjithçka. Brenda 70 ditësh u ringrit shumë shpejt dhe më i fortë, duke kaluar nga autogoli qesharak kundër Sasuolos, duke i rezistuar të gjithë kritikave dhe ofendimeve të botës, te festat me Monzën dhe Naplin: “Kam punuar si hamall, më pas montues dyersh e dritaresh, apo edhe murator. Por tani dua që të fitoj Kombëtaren e Italisë dhe një rol në Europian, por në të njëjtën kohë të fitoj me Juventusin”.
Në më pak se dy vite është shndërruar në titullarin e bardhezinjve dhe e ka fituar edhe kombëtaren, por mbi të gjitha me golat e tij ka sjellë 9 pikë me peshë titulli, duke goditur në fillim Torinon në derbi (më 7 tetor) dhe në dy javët e fundit dy skuadra që për Juventusin ishin shndërruar në tabu, në sezonet e fundit. Ndonëse është edhe lojtari që paguhet më pak në grupin bardhezi, kapiteni Danilo, pas fitores me Napolin nuk nguroi që ta përzgjedhë Federikon si “simbolin e motos së Juventusit: ‘Deri në fund’”. Pas Gatiti gjithashtu fshihet edhe ai djali që sakrifikohet në maksimum për shokët e skuadrës, ndaj është ndër më të dashurit në “Kontinasa”.
Duke nisur nga Dushan Vlahoviçi, miku i tij më i mirë. Alegri, edhe pse pa shumë eksperiencë nuk nguroi që t’i japë besim maksimal, siç ka bërë me shumë të rinj të tjerë në Torino, por me ndryshimin që në momentet më të errëta i rrahu shpatullat dhe e ruajti nga kritikat, ndërsa në momentet e euforisë, i dha përqafimet e merituara, një gjest që “Konti Maks” nuk ia ofron lehtësisht lojtarëve të tij. Por mbi të gjitha, Federiko Gati duket një lojtar që karakterizon i vetëm BBC-në e famshme bardhezi. Pikësëpari sepse ka trashëguar rolin e Barzaljit në qendrën e djathtë, ka në gjak golat e Bonuçit, por mbi të gjitha edhe egërsinë dhe ndjenjën prej lideri të ish-kapitenit Kielini.
I PËRKËDHELURI I XHUNTOLIT
Me Kielinin ngjason edhe në mënyrën e festimit, por çfarë është më e rëndësishmja, Federiko Gati duket edhe i përkëdheluri i drejtorit sportiv, Kristiano Xhuntolin, me të cilin përqafimet pas çdo fitoreje dhe goli janë bërë një rit tashmë. Mbase jo më kot mbrojtësi ishte i pari që u blindua nga klubi me një kontratë deri në vitin 2028, pasi për klubin, por pa dyshim edhe për trajnerin Alegri, ai duket i vetmi i paprekshëm i formacionit.
TANI NË “MAKS”
Por nëse Gati është surpriza, “Dhelpra” është një konfirmim. Alegri e di sesi fitohet dhe vazhdon të ecë ulët, pak për besëtytni, pak për strategji, ndonëse numrat e këtij Juventusi janë më shumë se ambicioz. Sidomos nëse bën krahasimin mes viteve në të cilat “Allianz Stadium” përkufizohej si “shtëpia e titujve kampionë”. Kjo, pasi një hap më të mirë se sa ky aktual (36 pikë në 15 ndeshje), Juventusi e ka pasur vetëm në tri raste, në 9 sezonet si kampionë.
Në sezonin e rekordit të 102 pikëve me Antonio Konten në stol (atëherë ishin 40) dhe dy herë me “Kontin” Maks: në 2017- 2018-ën ishin 37 pikë dhe në 2018-2019 me Kristiano Ronaldon në fushë, pikën shkonin edhe 43. Ndërsa, në sezonin e titullit të fundit kampion, me Mauricio Sarrin në stol, pas 15 javësh pikët ishin 36.
Përgatiti: JETON STAMOLLA- PANORAMASPORT.AL