Davide Fratezi ka lindur gati dhe mesa duket jo vetëm për të bërë diferencën tek Interi, por tashmë edhe në kombëtaren e Italisë. Aq sa që në ndeshjen e tij të parë ai realizon një dopietë në një sfidë që nuk duhej gabuar kurrsesi dhe u jep tri pikët “axurrëve”.
Por në përfundim të sfidës, përpara se të shprehë të gjithë gëzimin e tij për dopietën dhe fitoren, Fratezi ka një mesazh edhe për tifozët e “San Siro”-s, që protestuan sërish kundër Donarumës:
“Nuk e prisja një natë kaq të bukur për mua, por në të njëjtën kohë nuk e mendoja kurrë se mund të ndodhte një gjest aq i turpshëm ndaj Donarumës. Boll më me vërshëllimat kundër tij, është diçka e turpshme që nuk nderon askënd dhe nuk e kuptoj motivimin e kësaj gjëja. Por bëni si të doni, pasi një si Xhixho nuk preket lehtë, – ishin fjalët mbrojtëse të Fratezit kundrejt shokut të tij të përfaqësueses. – Dopieta ime?
E kush e kishte menduar diçka të tillë?! Unë dy gola… Ishte një natë e bukur, në një ndeshje që nuk duhej ta gabonim dhe jemi të gjithë të kënaqur me këtë. Na vjen keq vetëm për golin e pësuar nga Ukraina dhe për disa raste të tjera në të cilat mund të kishim mbyllur ndeshjen. Por mendoj se ndaj Ukrainës duhet të fitonim në çdo mënyrë dhe ia dolëm. Për momentin t’i gëzohemi vetëm kësaj”, përfundoi interisti.
PANORAMASPORT.AL