Sunday, 26. April 2026
Sport

I vodhën pasaportën, Memphis Depay: Nuk e kisha futur as valixhet e mia Gucci apo Louis Vuitton!

GS 10/10/2025 2 Min. Lesezeit

Memphis Depay përjetoi një situatë të pazakontë para ndeshjes së fundit të kombëtares së Holandës. Sulmuesi mbeti pa pasaportë dhe, për pasojë, u vonua në grumbullimin me përfaqësuesen e “Tulipanëve”. Megjithatë, pavarësisht pengesës, ai arriti të bashkohej me skuadrën në kohë për të dhënë kontributin e tij në fitoren e thellë ndaj Maltës, ku edhe shënoi një gol.

Në ndeshjen e zhvilluar të enjten, skuadra e drejtuar nga Ronald Koeman triumfoi bindshëm, me Cody Gakpo-në që spikati duke realizuar dy gola dhe dhënë një asistim, ndërsa Depay, pavarësisht “aventurës” së tij, vulosi një nga golat e fitores 4–0.

Pas përfundimit të takimit, sulmuesi i Corinthians-it zbuloi se pasaporta e tij është, me shumë gjasë, e vjedhur.

“Nuk arrita ta gjej pasaportën time, e kërkova kudo. Nuk ishte as në shtëpi, as në klub,” – tregoi Depay për mediet.

Me stilin e tij karakteristik plot humor, ai shtoi:

“Jo, nuk ishte as në ndonjë nga valixhet e mia Gucci apo Louis Vuitton,” – tha me ironi, përpara se të bëhej serioz sërish. – “Pasaporta ime ka humbur me të vërtetë. Besoj se është vjedhur, sepse zakonisht jam shumë i kujdesshëm me gjërat e mia.”

Pavarësisht incidentit, Depay vazhdoi ta tregonte profesionalizmin dhe ndikimin e tij në fushë, duke ndihmuar Holandën të ruajë ritmin drejt kualifikimit për Kampionatin Botëror 2026.

Teilen: