Zlatan Ibrahimovic, sot konsulent i RedBird dhe Milanit, ka folur për kanalet zyrtare të UEFA-s:
“Unë besoj te projekti dhe te ajo që përfaqëson Milani. Besoj se ndaj të njëjtën vizion me njerëzit që punojnë aty dhe me pronësinë, sepse edhe ata duan të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme.
Synimi i tyre është të bëjnë histori, të fitojnë, dhe kur bëhet fjalë për të fituar, aty ndihem i gjallë, sepse edhe unë dua të fitoj. Bëj gjithçka për të fituar dhe nuk dorëzohem derisa ta arrij. Kam luajtur në shumë klube – klube fantastike, ekipe të mëdha – por klubi që më ka dhënë më shumë në karrierën time është Milani.
Kam qenë këtu dy herë dhe më pëlqen shumë gjithçka që përfaqëson Milani. Herën e parë kur luajta te Milani, më dhanë shumë lumturi. Herën e dytë më dhanë dashuri, dhe tani dua t’u jap diçka mbrapsht.”
Si ndiheni si ish-lojtar i Milanit?
Që kur pranova të mos luaj më, jam në rregull me veten. Jam në paqe me këtë. Kjo është arsyeja pse nuk më mungon të luaj futboll. Kur them se ndiej frustrim që nuk jam në fushë, e them për shkak të përvojës sime, personalitetit tim. Është më shumë për këtë arsye sesa për faktin që më mungon loja. Kam kolegë të shkëlqyer dhe punoj me njerëz të aftë që më ndihmojnë. Jemi të rinj, të uritur për suksese, kemi ambicie të mëdha dhe një vizion të gjerë. Askush nuk është i kënaqur derisa të arrijmë atë që duam, që është të fitojmë. Flasim shumë me lojtarët në nivel grupi, por unë personalisht flas me ta çdo ditë. Është pjesë e asaj që bëj dhe e rrugëtimit tim: të jem pranë ekipit, t’i ndihmoj dhe t’i këshilloj.
Këtë vit është 125-vjetori i Milanit…
Kjo ndihet brenda klubit: të gjithë janë të entuziazmuar. Do të bëjmë gjëra të mëdha për 125-vjetorin dhe kemi disa surpriza. Nuk mund t’i zbuloj të gjitha tani, sepse përndryshe nuk do të ishin më surpriza. Ne jemi thjesht një brez i ri që bën pjesë në historinë e lavdishme të klubit. Frymëzohemi nga e kaluara për ta përshtatur me të tashmen. Kjo përzierje është e rëndësishme. Duhet t’i bëjmë të gjithë të kuptojnë çfarë përfaqëson Milani. Për të vazhduar ndërtimin e së ardhmes, duhet t’ia kujtojmë të gjithëve çfarë ishte Milani dikur, sepse e kaluara përcakton të ardhmen. Jemi shumë krenarë që jemi pjesë e kësaj historie.
Dy nga lojtarët tuaj kryesorë janë Pulisic dhe Reijnders…
Christian është Kapiten Amerika ynë. Po luan jashtëzakonisht mirë dhe duket që është i lumtur. Nëse pyet ndonjë lojtar që është te Milani, të gjithë thonë të njëjtën gjë. Të gjithë janë të lumtur këtu, të gjithë kënaqen sepse janë në një klub të madh. I kemi vënë në një situatë fantastike. Atyre u mbetet vetëm të mendojnë për futbollin dhe të luajnë mirë në fushë. Për sa i përket Pulisicit, e kemi rikthyer nga një situatë jo e mirë dhe tani duket se është vërtet i lumtur në fushë, dhe për këtë arsye po shfaq performanca të shkëlqyera. Sa për Reijnders, mendoj se ai është lojtari që ka bërë përparimin më të madh në një kohë të shkurtër. Në këto dy vite kemi futur shumë lojtarë me profile dhe karaktere të ndryshme, por ai ka bërë një rritje të pabesueshme. Jo shumë tifozë apo njerëz e njihnin, edhe pse kishte bërë gjëra të mëdha te AZ. Tani po tregon se është një profil i nivelit të lartë. Dhe mendoj se mund të rritet akoma më shumë.