Wednesday, 14. October 2026
Sport

Ibrahimaj: T’i vësh flakën një institucioni nuk është protestë paqësore

GS 14/10/2026 2 Min. Lesezeit

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka reaguar përmes një mesazhi në rrjetet sociale pas sulmit të regjistruar pasditen e sotme ndaj godinës së ministrisë që ajo drejton, ku protestuesit i vunë flakën nstitucionit.

Duke i cilësuar këto veprime si akte të papranueshme vandalizmi, ministrja Ibrahimaj theksoi se dhuna e përdorur ka cenuar drejtpërdrejt sigurinë e njerëzve dhe integritetin e pronës publike.

“Djegia dhe shkatërrimi i ambienteve institucionale përbëjnë akte të papranueshme, që përtej dëmeve materiale, krijojnë rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e personave që ndodhen në godinë, si dhe cenojnë funksionimin normal të institucionit”, deklaroi Ibrahimaj.

Më tej, drejtuesja e MEI-t bëri apel për qetësi, vetëpërmbajtje dhe shmangie të çdo veprimi që mund të përshkallëzojë më tej situatën, duke nëvizuar se mbrojtja e institucioneve dhe ruajtja e sigurisë publike duhet të jenë përparësi absolute në çdo rrethanë.

“Institucionet publike janë pasuri e përbashkët dhe dëmtimi i tyre prek të gjithë qytetarët. Dhuna dhe vandalizmi nuk mund të jenë pjesë e asnjë forme të pranueshme të veprimit publik. Respektimi i ligjit, i sigurisë së njerëzve dhe i pronës publike është i domosdoshëm për garantimin e rendit dhe të interesit të përbashkët”, përfundon reagimi i ministres.

/rtsh.al/

Teilen: