Së bashku me Emerson Royal, nënshkrimin e ri të Milanit, në sallën e shtypit të Milanello ishte i pranishëm edhe Zlatan Ibrahimovic, i cili prezantoi prurjen e re si menaxher i kuqezinjve. Gjithashtu, suedezi foli edhe për lëvizjet në merkaton e kësaj vere të klubit.
A ka pasur gjithmonë besim në negociata?
Para se të filloj, dua të mirëpres Emerson Royal. Ne e kemi ndjekur për një kohë të gjatë, por e kemi sjellë në kohën e duhur. Lojtar fizik, sulmues dhe mbrojtës. Luan me kaq shumë intensitet dhe vendosmëri. Me Emerson bëhemi edhe më të fortë. Ai ishte një nga objektivat që i kishim vendosur vetes që nga fillimi i merkatos dhe sot është këtu, më në fund.
A kishte ky përforcim edhe miratimin e Cardinale?
Gerry është në qytet, kemi pasur takime dje dhe sot. Ne flasim për gjëra të ndryshme, nuk është asgjë e re. Presidenti dëshiron që ne të shpenzojmë më shumë, por unë them jo. Le të shpenzojmë aty ku duhet për t’u forcuar.
Si është situata në lidhje me Kalulu, të cilin e do Juventusi, dhe krahun e djathtë?
Ne duhet të flasim me të dhe të gjejmë atë që është më e mira. Nuk mund të përgjigjem sot. Duhet të kuptojmë se çfarë është më e mira për të dhe për klubin. Më vjen keq që Florenzi u lëndua, por me Emerson kemi një përforcim shtesë për ekipin.
A duhet të presim edhe dy goditje të tjera në merkato?
Kjo nuk do të thotë se do të vijnë edhe dy lojtarë të tjerë. Për të ndërtuar një klub nuk është vetëm kush hyn. Pastaj do të shohim. Ne nuk jemi me nxitim, gjithçka është nën kontroll. Kemi objektivat tona, strategjinë që po ndjekim për ta forcuar ekipin.
A do të ketë më shumë goditje në mbrojtje?
Ajo që duam të ndërtojmë është një ekip kompakt. Në sulm jemi kompaktë dhe të fortë, nuk shoh asnjë lëvizje. Pjesa mbrojtëse është forcuar me Emerson, Pavlovic… Pastaj do të shohim, ndoshta ka vend për diçka shtesë. Ne po punojmë.
Emerson më i mirë në mbrojtje apo sulm?
Zgjedhja e Emerson ishte e thjeshtë. Ishte profili i duhur, sjell ekuilibër midis sulmit dhe mbrojtjes. Nëse shikoni Fonseca dhe identitetin e lojës së tij, një profil si Emerson është i përsosur. Nëse duhet të zgjedh? Në botën time më pëlqen më shumë sulmi, por e rëndësishme është se ai mund t’i bëjë të dyja fazat. Ne luajmë për të sulmuar, nuk jemi në fushë për të mbrojtur.
Një mendim për Silvio Berlusconi?
Kur flasim për Silvio Berlusconi…, është një person që më intereson shumë. Herën e parë që erdha në Milano ai më bëri të lumtur. Kisha shumë respekt për personin që ishte. Më vjen keq që nuk është më këtu, por gjithmonë do të mbetet në kujtesën tonë. Sonte do të luajmë trofeun e Berlusconit, një nderim për të. Unë gjithmonë përpiqem të mbaj dhe të përcjell atë që ai më mësoi. Për mua ishte i mrekullueshëm, ne jemi këtu falë tij. Ai ishte vetë Milani, respekt dhe mirënjohje ndaj tij.