Çelsi po përpiqet të shesë lojtarët e një skuadre të mbingarkuar dhe ditët e fundit ka vendosur ta drejtojë eksodin në Arabinë Saudite: Kante dhe Kulibali janë zyrtarizuar tashmë në këtë kampionat, por në shtëpinë e bluve ka edhe një tjetër çështje për të zgjidhur, dhe ajo mban emrin e Romelu Lukakut.
Sulmuesi ka shprehur gatishmërinë e tij për t’u larguar nga “Stamford Bridge”, pavarësisht ardhjes së Poçetinos dhe do të dëshironte të qëndronte në Itali, duke refuzuar gjithashtu një ofertë të rëndësishme nga sauditët.
Interi po përpiqet ta rikthejë atë në Milano, por marrëveshja e huazimit me një çmim fiks të blerjes nuk është në interesin e Çelsit. Dhe prandaj “The Telegraph” ka lëshuar një lajm të bujshëm që përfshin Juventusin dhe Dushan Vlahoviçin.
Një operacion, që sipas gazetës britanike do të sillte përfitime për të dy klubet, pasi ideja është një shkëmbim mes dy sulmuesve. Çelsi do të kënaqte belgun me rikthimin në Itali, ndërsa do ta zëvendësonte atë me një qendërsulmues më të ri në moshë.
Ndërkohë që Juve do të kishte një sulmues të përshtatshëm për lojën e Alegrit. Por më parë duhet të përfundojnë bisedimet mes Interit dhe Çelsit, ndërsa është refuzuar oferta e parë e zikaltërve për huazimin. Nënkampionët e Europës kanë bërë ofertën e dytë huazim me detyrim blerjeje për 30 milionë euro.
PANORAMASPORT.AL