Bordi Ndërkombëtar i Shoqatave të Futbollit (IFAB), institucion që përcakton rregullat zyrtare të futbollit, ka diskutuar disa propozime të reja që mund të ndryshojnë mënyrën e zhvillimit të ndeshjeve.
Në një mbledhje virtuale të Komiteteve Këshilluese Teknike dhe të Futbollit (FAP-TAP), të kryesuar nga Noel Mooney, drejtor ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Uellsit, IFAB ka shqyrtuar mundësinë që VAR-i të ndërhyjë edhe në rastet kur një lojtar ndëshkohet gabimisht me kartonin e dytë të verdhë. Kjo ndërhyrje, që aktualisht nuk lejohet nga rregullorja, do të diskutohet zyrtarisht në mbledhjen vjetore të IFAB-it, e cila do të mbahet më 20 janar 2026 në Londër.
Një tjetër çështje e rëndësishme në tryezë ishte reduktimi i humbjes së kohës gjatë ndeshjeve, një problem që po trajtohet gjithnjë e më seriozisht në futbollin modern. IFAB po shqyrton idenë për të zgjeruar sistemin e “numërimit mbrapsht” (countdown), i cili aktualisht aplikohet vetëm për portierët që mbajnë topin përtej kufirit prej 8 sekondash.
Propozimi parashikon që ky sistem të shtrihet edhe te goditjet nga porta dhe autet anësore, për të shmangur zvarritjet e panevojshme të lojës. Gjithashtu, po merren në konsideratë masa për të kufizuar vonesat që vijnë nga ndërprerjet për dëmtime apo zëvendësime.
Nëse këto rregulla miratohen në janar, ato mund të zbatohen në mënyrë eksperimentale që nga sezoni i ardhshëm, me qëllim që loja të bëhet më dinamike dhe më e drejtë për të gjitha skuadrat.


