Me zbehjen e Andrea Bertës, i cili është shumë pranë Arsenalit, edhe mundësia e Igli Tares si drejtor i Milanit duket gjithnjë e më e largët. Vendimi për t’i besuar gjetjen e një shefi të ri të seksionit të sportit Xhorxho Furlanit ka kompromentuar thuajse përfundimisht pozicionin e shqiptarit, duke rritur edhe një herë shanset e Fabio Paratiçit.
Ish-drejtori i Juventusit, megjithatë, vjen nga një skualifikim për rastin e plusvalencave dhe kjo shqetëson disi klubin e drejtuar nga Xherri Kardinale, megjithatë pronësia mund ta kapërcejë këtë pengesë aq shumë sa që në ditët në vijim të ketë një mbledhje të re për të vlerësuar një projekt të mundshëm të propozuar nga Paratiçi.
POSTI I TRAJNERIT – Për të zbuluar se kush do të ulet në pankinën e Milanit vitin e ardhshëm, do të duhet të presim që të zgjidhet çështja e drejtorit sportiv. Duke e marrë të mirëqenë që Serxho Konseisao do të largohet në fund të sezonit, emri i Masimiliano Alegrit është ai që ka qarkulluar më shumë në orët e fundit, megjithatë nuk ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me teknikun toskan.
Ai që nuk është plotësisht bindës është Mauricio Sarri, i cili, pasi i tha jo mundësisë për të marrë ekipin pas largimit të Paulo Fonsekës, thuhet se është larguar nga gara për të drejtuar Milanin. I vetmi që ka qenë në kontakt me klubin është Roberto de Zerbi, aktualisht në pankinën e Marsejës, por i gatshëm për të përqafuar projektin kuqezi.
Emri i tij ishte i lidhur me “Djallin” dhe me sa duket ka mbetur në kontakt me Zlatan Ibrahimoviç në muajt në vijim. Marrëdhëniet e mira mes skuadrës milaneze dhe klubit transalpin mund të favorizojnë një hapje të mundshme, duke pasur parasysh se De Zerbi është rritur në sistemin e të rinjve të Milanit dhe do të ishte gati për të nisur një cikël të ri, ku do të mbështeteshin pritshmëri të reja pas zhgënjimit të sezonit aktual, ku gjithsesi është fituar një trofe deri më tani.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL