Sot në mbrëmje luhet Milan-Juven tus. Me 30 ndeshje për të luajtur, sigurisht, nuk mund të ketë asgjë vendimtare, por në “San Siro” mund të merren disa përgjigje shumë domethënëse, edhe në perspektivë titulli.
E thënë më thjesht, renditja: Me Milanin fitues dhe kryesues me 7 pikë epërsi ndaj Juves ose një “zonjë” me vetëm një pikë pas “djallit”, skenari do të ndryshonte shumë. Por edhe më shumë se klasifikimi do të rëndojnë depozitat e ndeshjes.
Pioli ishte shumë i zoti për të reaguar pas derbit të humbur: 4 fitore në kampionat dhe dy 0-0 në Champions. Që “djalli” i 5-1-shit drejton kampionatin, duket si iluzion. Por vetëm një fitore kundër një skuadre tjetër të madhe mund të heqë përfundimisht aureolën e shuplakës zikaltër dhe të rikthejë si të paprekur vetëvlerësimin fitues të nevojshëm për titullin.
Lacio e këtij viti nuk mund të konsiderohet një e madhe. Kundër Juventusit, Pioli dëshiron të ripropozojë me forcë kandidaturën e tij për kampionatin. Por është e njëjta ide që ka në mendje Alegri.
“ZONJA” — Juve, në ndeshjen e saj më të mirë, mundi edhe një Lacio më të vogël. Ekipi bardhezi deri më tani ka përballur 6 skuadra nga pjesa e poshtme e renditjes. Kundër Atalantës, që ishte në pjesën e parë, Juventusi mezi mbijetoi.
Ajo kundër Milanit do të jetë përballja e parë direkte e vërtetë. Duke e fituar, Alegri do t’u jepte ngjyrë ëndrrave të djemve të tij dhe do t’i dërgonte një mesazh të fortë konkurrencës, i shqetësuar për privilegjin e detyruar të javëve pa kupa, siç sapo ka kujtuar së fundmi Bepe Marota. Por rezultati nuk mjafton.
Nata gala e Milanos duhet ta ndihmojë Alegrin të frikësojë edhe me lojën e tij, siç ka bërë vetëm ndaj Lacios deri më tani.
Sot, Alegri, i cili nuk e ka mposhtur kurrë Piolin që nga rikthimi i tij në stolin bardhezi, ka mundësinë të tregojë pamjen e re, cilësinë dhe guximin e premtuar në verë dhe ta shtyjë Juventusin në një dimension më të epërm. “Djallit”, nga ana tjetër, nuk i ka munguar kurrë identiteti dhe linjat e lojës dhe Pioli kurrë nuk ka hequr dorë prej tyre.
NË MBROJTJE- Milan-Juve është gjithashtu një provë “zjarri” për skuadrat, sidomos në mbrojtje ku Piolit i mungojnë dy shtylla të fuqishme: Menja dhe Hernandez. Duke përjashtuar pesëshen e pësuar nga Interi, “djalli” do të kishte prapavijën më të mirë të Serisë A.
Ndërkohë, mes shtyllave, trajneri kuqezi duhet të zgjedhë midis një 40- vjeçari që nuk ka qenë titullar në Serinë A për më shumë se dy vjet (Mirante) dhe një adoleshenti (19-vjeçari Nava).
Teo është thjesht themeli i parë mbi të cilin trajneri ka ndërtuar të gjitha skuadrat kuqezi, nga tetori i 2019-ës e deri më sot, dhe opsioni i parë kur duhet ngritur topi në territore armike. Florenci është një botë tjetër.
Harta taktike do të duhet të rishikohet shumë. Por edhe Danilo i dëmtuar i heq shumë “zonjës së vjetër”. Braziliani nuk është vetëm një mbrojtës titullar, sepse është bërë edhe shpirti i skuadrës, shkëmbi në stuhi, çfarë ishin Bonuçi dhe Kielini.
Kampionati i kaluar: 37 paraqitje nga 38. Ai ka qenë gjithmonë i pranishëm edhe në këtë aktual kur skuadra me 6 gola të pësuar, ka mbrojtjen më e mirë pas Interit (5). Alegri mbetet me Gatin, Bremerin, dhe Ruganin. Mbase të dielën do t’i duhet një mbrojtje me katër për të mbajtur një qendërmbrojtës rezervë e me Ueah si opsion për rolin e mbrojtësit të krahut.
NË MESFUSHË – Piolit u bë kohë që i mungojnë dy opsionet e tij të para për regjinë: Benaser dhe Kruniç. Ideja “Adli” dha rezultate të mira, por ndaj kundërshtarëve agresivë në Champions, trajneri zgjodhi diçka tjetër. Juve, në përgjithësi, nuk sulmon, siç bëjnë anglezët dhe gjermanët, ndaj francezi mund të ketë hapësirat dhe kohët që i pëlqen të krijojë.
Edhe për të, në këtë rast, një test i vërtetë ose gatigati, një provim diplome. Alegri, pasi ka humbur Faxholin, ka pak zgjedhje në mesfushë. Por formacioni anti-”djalli” do të bazohet në qasje.
Presion me Mekenin, Lokatelin dhe Rabionë apo kujdes difensiv për të kundërsulmuar?
Problem është që ekipi i Alegrit ka sulmin më të keq mes pesë të parave të kampionatit, sepse ndërton pak dhe keq. Këtu duhet të vërë dorë trajneri, duke filluar që nga ndeshja e “San Siro”-s. Reijnders dhe Rabio, të freskët nga paraqitjet e mira në kombëtaret e tyre, premtojnë një përzierje cilësie dhe dinamizmi.
YJET – Dhe më pas, natyrisht, testi Milan-Juve do të jetë aty ku jetojnë 9-shat, pra në sulm. Zhiru, i cili vendosi ndeshjen e fundit të kampionatit, në Torino, nuk shënon që nga 1 shtatori.
Leao, goli i fundit i të cilit ishte më 23 shtator kundër Veronës, ka shënuar vetëm një gol kundër Juves, në fitoren 4-2 në korrik 2020, dhe asnjë nga 8 golat që Portugalia sapo ka shënuar kundër Sllovakisë dhe Bosnjës. Me siguri do të jetë i uritur të dielën.
Pa shtytjen dhe ndihmën e Teos, dy sulmuesit e Piolit do të duhet të zgjidhin, por edhe të mbështeten më shumë te një Pulisiç në formë të shkëlqyer. Në ndeshjen më të mirë të Juves, 3-1 ndaj Lacios, Vlahoviç shënoi 2 gola. Jo rastësi.
Serbi rikthehet për të drejtuar departamentin, ndoshta i çiftuar me Milikun që vendosi derbin. Kieza, i cili ishte përgjegjës për fitoren e fundit të Juventusit në Milano, nën drejtimin e Pirlos (1-3, janar 2021), u stërvit me ekipin dje. Për të edhe shanset e formacionit janë me pikatore.
Nga goditja me thembër e Betegas deri te goli i Van Bastenit me gjoks, Milan-Juve ka qenë gjithmonë një rrezatim yjesh. E do të jetë përsëri.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL