Protesta studentore ka nisur para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku është regjistruar edhe një moment tensioni mes një qytetari dhe operatorit të Radio Televizionit Shqiptar.
Gjatë raportimit të gazetares së RTSH 24, Keti Toroveci, nga Rruga e Durrësit, qytetari iu drejtua operatorit, i cili po qëndronte pranë forcave të Policisë, duke i kërkuar të vishte uniformën dhe t’u bashkohej protestuesve.
Më pas, qytetari i kërkoi operatorit të fikte kamerën dhe e goditi atë.
Sipas raportimit nga vendngjarja, qytetari është larguar nga zona nga forcat e Policisë, të cilat e kanë shoqëruar në pjesën e pasme të godinës së Ministrisë së Arsimit.
“Një moment tensioni u regjistrua në protestë midis një qytetari dhe operatorit te Radio Televizionit Shqiptar, i cili po qëndronte në mbrojtje te forcave te policisë, protestuesit i kërkuan që të vishte uniformen dhe të bashkoheshe me ta dhe me pas ka kërkuar operatorit të RTSh që të fiki kamerën dhe goditi kamerën e RTSH. Momentalisht e kanë larguar qytetarin, kanë qenë forcat e policisë që e kane larguar në pjesën e pasme të Ministrisë së Arsimit”, u shpreh gazetarja.
/rtsh.al/