FIFA ka njoftuar krijimin e një çmimi të ri, i cili do të jepet më 5 dhjetor në Uashington, gjatë ceremonisë së hedhjes së shortit të fazës së grupeve të Kupës së Botës 2026. Ky vlerësim, i quajtur “Çmimi i Paqes FIFA”, do t’i jepet personit që ka punuar më shumë gjatë kësaj periudhe për të sjellë paqen në botë. “Çmimi do të njohë veprimet e jashtëzakonshme të bëra për paqen. Në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme dhe të përçarë, është thelbësore të njihet kontributi i jashtëzakonshëm i atyre që punojnë shumë për t’i dhënë fund konflikteve dhe për të bashkuar njerëzit në një frymë paqeje”, – tha Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Sipas FIFA-s çmimi do të jepet çdo vit “në emër të tifozëve të futbollit në të gjithë botën”. E duke parë lidhjet e ngushta të Presidentit të SHBA-së me Infantinon, duket se Donald Trump do të jetë personi i parë që do ta marrë çmimin e FIFA-s për Paqen. Presidenti i FIFA-s edhe njëherë theksoi faktin se Trump ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për t’i dhënë fund konflikteve në botë.


