Thursday, 19. November 2026
Sport

Infantino përballet me dy rivalë në garën për presidencën e FIFA-s

GS 19/11/2026 2 Min. Lesezeit

Gianni Infantino do të ketë për herë të parë kundërshtarë në garën për rizgjedhjen në krye të FIFA-s, pasi Philippe Diallo dhe Kozo Tashima janë konfirmuar zyrtarisht si kandidatë për zgjedhjet që do të mbahen në mars të vitit 2027.

Lajmi është bërë i ditur të enjten nga FIFA, e cila ka njoftuar se presidenti i Federatës Franceze të Futbollit (FFF), Philippe Diallo, dhe ai i Federatës Japoneze, Kozo Tashima, kanë paraqitur kandidaturat e tyre për këtë post.Diallo e kishte bërë publike kandidaturën të hënën, duke marrë mbështetjen e federatave anëtare të UEFA-s të përfaqësuara në komitetin ekzekutiv dhe Këshillin e FIFA-s. Ndërkohë, Tashima e kishte shpallur kandidaturën më herët gjatë këtij muaji dhe nominimin zyrtar e kishte dorëzuar të mërkurën.

Megjithatë, kandidaturat ende duhet të kalojnë nëpër procesin e shqyrtimit nga komisioni zgjedhor i FIFA-s.

“Kandidaturat i janë dërguar komisionit zgjedhor për shqyrtim dhe për të marrë një vendim mbi pranimin e kandidatëve”, thuhet në njoftimin e FIFA-s.

Ndërsa emrat e kandidatëve të propozuar dhe të pranuar do t’u bëhen të ditur federatave anëtare jo më vonë se 18 shkurt 2027.

Këto zgjedhje do të jenë hera e parë që Infantino përballet me kundërshtarë që nga marrja e presidencës së FIFA-s në vitin 2016. Në vitin 2023, ai ishte rizgjedhur pa kundërshtarë.

Presidenti 56-vjeçar është përballur me kritika dhe thirrje për dorëheqje pas polemikave rreth projektit FIFA Forward Enterprise (FFE), përmes të cilit synohej shitja e aksioneve në Kupën e Botës dhe gara të tjera të mëdha.

Diallo, i cili mori drejtimin e Federatës Franceze të Futbollit në vitin 2023, kishte luajtur rol të rëndësishëm në tërheqjen e mbështetjes evropiane për Infantinon lidhur me këtë projekt.

Pavarësisht kritikave, Infantino ka shprehur bindjen se ka mbështetjen e mjaftueshme të federatave anëtare për të fituar edhe një mandat tjetër në krye të futbollit botëror.

Teilen: