Wednesday, 18. February 2026
Futboll

Infantino reagon për incidentin me Viniciusin: Zero tolerancë ndaj racizmit

GS 18/02/2026 2 Min. Lesezeit

Presidenti i FIFA, Gianni Infantino, ka reaguar publikisht pas incidentit të raportuar mes Vinícius Júnior dhe Gianluca Prestiannit gjatë përballjes së UEFA Champions League ndërmjet SL Benfica dhe Real Madrid CF.

Takimi i parë përfundoi me fitoren 1-0 të madrilenëve, me gol të realizuar nga vetë Vinicius. Pas shënimit, loja u ndërpre për disa minuta, pasi braziliani njoftoi gjyqtarin për një incident të dyshuar me përmbajtje raciste.

Në deklaratën e tij, Infantino u shpreh i tronditur nga ajo që pa në fushë.

“Isha i tronditur dhe i trishtuar kur pashë incidentin e dyshuar të racizmit ndaj Vinícius Júnior. Nuk ka absolutisht asnjë vend për racizëm në sportin tonë dhe në shoqëri. Të gjitha palët duhet të ndërmarrin veprime dhe të mbajnë përgjegjës ata që janë fajtorë”, theksoi kreu i FIFA-s.

Ai shtoi se institucioni që drejton është i angazhuar përmes programeve globale kundër racizmit dhe përmes panelit të zërit të lojtarëve, me synimin që futbollistët, zyrtarët dhe tifozët të jenë të mbrojtur dhe të respektohen.

Infantino përgëzoi edhe gjyqtarin francez François Letexier për aktivizimin e protokollit anti-racizëm dhe ndalimin e menjëhershëm të ndeshjes për të trajtuar situatën.

“FIFA dhe futbolli botëror qëndrojnë në solidaritet të plotë me viktimat e racizmit dhe çdo forme diskriminimi. Do ta përsëris gjithmonë: Jo racizmit! Jo çdo forme diskriminimi!”, përfundoi ai.

Teilen: