Afati kalimtar në Itali është ndezur edhe pse Inter dhe Juventus janë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku në ditët në vazhdim do të luajnë për një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës për Klube.
Në Milano drejtuesit zikaltër po punojnë për të ndërtuar një ekip solid për të përballuar sezonin që vjen.
Reparti ku do të ndërhyet është ai i mesfushës, ku Interi do të ndryshojë disa prej protagonistëve të ekipit aktual.
Zikaltrit janë të vendosur që të marrin në Milano mesfushorin e Lazio-s, Nicolò Rovella. Ky i fundit ka një çmim pasi Lazio nuk heq dorë nëse nuk merr në këmbim 50 milionë euro.
Kjo shifër vlerësohet si e lartë për drejtuesit e Interi-t, të cilët po përgatiten që të bëjnë një ofertë tunduese.
Interi i ofron Lazio-s 35 milionë euro dhe kartonin e Kristjan Asllanit në këmbim të mesfushorit italian.
Tratativat janë ende në fazën e parë dhe nga kampi roman ende nuk është mësuar nëse ky propozim do të mjaftojë për të dërguar Nicolò Rovella-n në Milano.