Tuesday, 17. February 2026
Futboll

Inter-Juventus, sfida përtej derbit. Përballja e parë Chivu-Spalletti ndez “San Siron”

GS 14/02/2026 3 Min. Lesezeit

“Derby d’Italia” nuk është kurrë thjesht një ndeshje futbolli. Përballja e sotme, në orën 20:45, në “San Siro”, premton histori, tension dhe peshë titulli. Interi dhe Juventusi përballen në një duel që mund të ndikojë drejtpërdrejt si garën për titull, ashtu edhe luftën për Champions, por këtë herë vëmendja është edhe te pankinat. Për herë të parë si trajnerë, Cristian Chivu dhe Luciano Spalletti përballen mes tyre, pasi dikur ndanë eksperiencën te Roma.

Zikaltërit vijnë nga 5 fitore radhazi dhe një sukses do të ishte hap i madh drejt titullit, si edhe fundi i tabusë në përballjet direkte të këtij sezoni. Chivu pritet t’iu besojë titullarëve, me Barella favorit për startin dhe Calhanoglu të rikuperuar. Në mbrojtje trioja Bisseck-Akanji-Bastoni, ndërsa në sulm çifti “Thu-La”.

Te Juventusi, Spalletti ka dilemën Khéphren Thuram, i ndalur nga një edemë kockore. Në mungesë të tij është gati Koopmeiners. Bardhezinjtë synojnë të ruajnë serinë pozitive në kampionat. Atmosfera? “San Siro” me bileta të shitura totalisht (‘sold out’), në një Shën Valentin për zemra të forta.

Mund të jetë një ilustrim i basketboll

Ja formacionet e mundshme:
Interi (3-5-2): Sommer; Bisseck, Akanji, Bastoni; Luis Henrique, Barella, Zielinski, Mkhitaryan, Dimarco; L.Martinez, M.Thuram
Juventusi (3-4-2-1): Di Gregorio; Kalulu, Bremer, Kelly; Cambiaso, Locatelli, K.Thuram, Cabal; McKennie, Yildiz; David

KOMENTI
Inter-Juventus ndez Shën Valentinin. Dashuri, rivalitet dhe një zemër me formë… “Scudetto” ❤️🏹🇮🇹
Pas ceremonisë së hapjes së Lojërave Dimërore, “San Siro” është gati të rikthehet në skenën e emocioneve të mëdha. Në ditën e dashurisë, dy rivalët e përjetshëm të futbollit italian zbresin në fushë jo për romancë, por për një objektiv të vetëm: zemrën trengjyrëshe që rreh gjithnjë e më fort në krye të tabelës.

Interi vjen si kryesues, me +5 pikë ndaj Milanit dhe me dëshirën për ta mposhtur sërish Juven në shtëpi, dy vite pas fitores 1-0 të 4 shkurtit 2024, sezoni që solli yllin e dytë. Nga ana tjetër, “Zonja e Vjetër”, edhe pse 12 pikë pas zikaltërve, ka ndryshuar ritëm me Luciano Spallettin dhe ëndërron goditjen e madhe për t’iu afruar objektivit Champions.

⚔️ Një natë për zemra të forta, një derbi që vlen më shumë se tri pikë. 👉 Si mendoni, kush do ta fitojë këtë “Derby d’Italia”?

Teilen: