Federata e Futbollit të Sllovenisë ka bërë të ditur se të gjitha biletat për ndeshjen mes Sllovenisë dhe Kosovës, që do të zhvillohet më 15 nëntor, janë shitur plotësisht.
Lajmi është konfirmuar përmes një njoftimi në rrjetet sociale dhe faqen zyrtare të federatës.
Takimi i vlefshëm për xhiron e pestë të Grupit B kualifikues për Botërorin 2026 pritet të jetë tejet i rëndësishëm për të dy kombëtaret. Sllovenia synon fitoren e parë në grup dhe afrimin me zonën e play-offit, ndërsa Kosova kërkon të paktën një pikë që do ta mbante në pozitën e dytë.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Stozice” të Ljubljanës, i cili ka një kapacitet prej rreth 16 mijë e 500 ulësesh.
Interesimi ka qenë i madh, dhe tashmë stadiumi pritet të jetë i mbushur në maksimum.
Federata sllovene ka apeluar për sjellje sportive në tribuna, duke bërë të ditur se hyrja në stadium do të lejohet vetëm me simbolet e kombëtares së Sllovenisë, përjashtuar sektorin e tifozëve mysafirë.
Në anën tjetër, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ende nuk ka konfirmuar datën e shitjes së biletave për tifozët kosovarë, si dhe numrin e tyre që do të vihen në dispozicion.
Kujtojmë që në ndeshjen e parë të këtij muaji, të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Kosova dhe Sllovenia ndanë pikët me rezultatin 0-0.