Ndarja nga jeta e Papa Françeskut ka revolucionarizuar kalendarin e Serisë A, ku drejtuesve të Ligës iu desh të gjenin shpejt një zgjidhje për të rikuperuar katër ndeshjet e shtyra të hënën e Pashkëve dhe ato të planifikuara për të shtunën, ditën e funeralit të Atit të Shenjtë.Megjithatë, sfida mes Interit dhe Romës i ka vënë në vështirësi drejtuesit e shoqatës së klubeve. Fillimisht, ndeshja ishte menduar të luhej në “San Siro” të shtunën, në orën 18:00, por ndalimi i qeverisë për aktivitete sportive i ka komplikuar planet. Aq më tepër, që të mërkurën, zikaltrit do të luajnë ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës dhe dalja në fushë të dielën do të përkthejej në disa orë më pak pushim për Lautaron dhe shokët e tij. Për këtë arsye, drejtuesit e kampionëve të Italisë në fuqi, janë përpjekur ta shtyjnë sfidën me verdhekuqtë për në maj, në datën e parë të lirë të mundshme.
PRECEDENTI NDIKUES – Presidenti Simoneli dhe administratori De Siervo, megjithatë, e hodhën poshtë propozimin, sepse do të kishte një ndikim shumë të rëndë në garën e titullit. Për të mos shtuar se dikush vuri në dukje se Bastoni dhe Mkhitarian do ta kishin vuajtur pezullimin kundër Veronës dhe jo kundër Romës, siç do t’i ndodhte në këtë fundjavë. Realisht, një rast i njëjtë ka ndodhur edhe këtë sezon dhe ai që përfitoi, ishte Napoli, rivali aktual i Interit për titullin. Në fakt, Milani u detyrua të hiqte dorë nga Hernandez dhe Reijnders në përballjen kundër djemve të Kontes kur duhej të mungonin në ndeshjen e mëparshme me Bolonjën për shkak të pezullimit. Ndeshja nuk u luajt siç ishte planifikuar, sepse u shty për arsye sigurie për shkak të motit të keq dhe, siç ndodh rëndom, plasën polemikat.
PA AUTORIZIM – Kështu, përballë kërkesës së Interit, drejtuesit e Ligës propozuan të luhej mbrëmjen e së shtunës, pasi kishin marrë një autorizim të posaçëm nga qeveria. Në fund, Marota, në marrëveshje me Inzagin, preferoi të respektonte ditën e zisë dhe pranoi të luante të dielën në orën 15:00, 17 orë pas rivalëve të Barcelonës, të cilët do të luajnë finalen e Kupës së Mbretit kundër Real Madridit, të shtunën në mbrëmje në orën 22:00. Gjithçka u zgjidh, me pak fjalë, por është fakt që Interi do të jetë skuadra e parë italiane që do të luajë të dielën para gjysmëfinales së Ligës së Kampioneve, kur të gjitha skuadrave të tjera u është dhënë tradicionalisht të paktën 24 orë pushim shtesë. Në historinë e futbollit italian, diçka e tillë nuk kishte ndodhur kurrë.
PANORAMASPORT.AL